Atletët e rinj të Vllaznisë janë shpallur kampionë të Shqipërisë për vitin 2016. Ata kanë arritur të sfidojnë të gjithë kundërshtarët e tyre të ekipeve të tjera në garat e kampionatit kombëtar të 18 vjeçarëve që u zhvilluan ditën e djeshme në Elbasan. Ekipi shkodran ka grumbulluar 160 pikë, më shumë se gjithë të tjerët dhe është konfirmuar edhe njëherë si më i miri i vendit duke vazhduar traditën e mirë të gjithë këtyre viteve të fundit kur kanë arritur të dominojnë në mënyrë absolute në çdo kampionat të zhvilluar.

Edhe në garat e këtij viti, sportistët e Vllaznisë kanë arritur të zënë disa vende të para. Kështu, në garën e 110 metrave me pengesa, ka qenë atleti Eqerem Rusi ai që është shpallur kampion i kësaj disipline. Edhe në garën e kërcimit së gjati ka fituar një tjetër shkodran, Ergys Gjeçaj ndërsa në trehapësh kampion është shpallur Suad Bashku. Ekipi i drejtuar nga trajnerët Albert Marashi, Vildan Tufi, Fatjon Serhati dhe Dorian Tafa, ka bërë një paraqitje shumë të mirë duke siguruar kështu titullin e rradhës kampion me të rinjtë. Por jo vetëm kaq. Dy prej atletëve të këtij ekipi, pikërisht Ergys Gjeçaj dhe Suad Bashku janë shpallur edhe sportistët më të mirë të kampionatit sepse kanë grumbulluar më shumë pikë se të gjithë sportistët e tjerë. Në këtë mënyrë, atletika shkodrane ka siguruar një tjetër titull kampion megjithatë tashmë vëmendja më e madhe është e përqendruar tek kampionati kombëtar i të rriturve që do të zhvillohet muajin e ardhshëm dhe në të cilin po ashtu, do të kërkohet titulli kampion.

Gjergj KOLA

Ne foto, njeri nga trajneret e Vllaznise, pikerisht Fatjon Serhati (ne mes) me dy kampionet e djeshem, Eqerem Rusi (majtas) dhe Suad Bashku (djathtas).