Duhej të ishte luajtur pasditen e djeshme por në fakt ndeshja e parë e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj, ajo në mes Vllaznisë dhe Kamza Basket, do të zhvillohet ditën e hënë në orën 18.00. Ka ndodhur kështu ngaqë pallati I sportit “Qazim Dervishi” ka qenë I zënë me kampionatin kombëtar të boksit për të rinj dhe për këtë arsye, ndeshja e basketbollit është spostuar për në ditën e parë të javës që vjen. Kjo është një ndeshje e rëndësishme pasi basketbollistët shkodranë do të përballen me një nga rivalët e tyre kryesorë siç është ekipi I Kamzës me të cilin gjithë këto vitet e fundit kanë patur një ngërç në ballafaqimet mes tyre dhe në jo pak raste edhe janë mundur. Megjithatë këtë herë shpresohet të jetë ndryshe. Fillimi I mirë I kampionatit do të ishte një plus I madh për ekipin e trajnerit Gjeçaj ngaqë siç është bërë e ditur, kampionati I sivjetëm do të nisë me një përbërje krejtësisht shkodrane. Drejtuesit e skuadrës kanë zgjedhur këtë mënyrë për të parë nga afër gjendjen aktuale të saj dhe nevojat që duhen ndoshta për të ndërhyrë në merkaton e janarit. Objektivi është I qartë për fazën e parë, renditja në dy- tre vendet e para dhe për ta arritur këtë, kuptohet që pikësëpari duhet fituar nesër ndaj Kamza Basket, në një ndeshje që pritet me interes nga ana e tifozëve shkodranë sepse do të përballen dy ndër ekipet më të mira të kampionatit.

© shkodrasport.com