Java e tetë e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj do të dhurojë një sfidë shumë interesante. Në Shkodër, Vllaznia do të presë një nga ekipet rivale, pikërisht atë të Kamza Basket në një ndeshje që është vlerësuar maksimalisht në kampin shkodran. Madje trajneri Bledar Gjeçaj ka njëfarë frike nëse humbja e fundit në Ligën Ballkanike me ekipin maqedonas Kozuv të mos ketë ndikuar tek skuadra.

Takimi Vllaznia- Kamza Basket do të luhet ditën e shtunë në orën 18.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe pritet të ndiqet me interes nga ana e sportdashësve shkodranë ashtu si çdo ndeshje e këtij ekipi në dy sezonet e fundit. Ekipi shkodran në kampionat është paraqitur shumë mirë duke arritur 7 fitore në 7 ndeshjet e luajtura deri tani dhe të shtunën do të kërkojë të marrë edhe të tetën rradhazi.
© shkodrasport.com