Ndeshja e kthimit e turit të parë të Kupës së Shqipërisë,ajo në mes Vllaznisë dhe Kastriotit do të luhet nesër (e mërkurë) në orën 15.30. Ndryshimi është se ky takim nuk do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” por në fushën sportive “Reshit Rusi”.Arsyet e kësaj janë dy: E para, edhe sezonet e kaluara, ndeshjet e turit të parë shkodranët i kanë zhvilluar në këtë fushë dhe e dyta, nuk do të luhet në stadium sepse vetëm pak ditë më vonë siç dihet, aty do të luhet ndeshja e shumëpritur Shqipëri- Itali.
Pavarësisht këtij fakti, kuqeblutë e trajnerit Cungu janë të vendosur për ta fituar këtë ndeshje në mënyrë që të mbyllin sa më shpejt punën e kualifikimit për në turin e dytë të këtij kompeticioni ku me shumë të ngjarë do të ndeshen me Tiranën. Siç dihet, takimi i parë i luajtur para dy javësh në Krujë është mbyllur në barazim 0-0 dhe kësisoj nuk do të jetë krejt e lehtë kalimi i këtij kundërshtari që kryeson me meritë kampionatin e kategorisë së parë.
© shkodrasport.com