Klubi i futbollit Vllaznia nuk ka ndër mend të tolerojë në zhurmën e krijuar pas ndeshjes së fundit me Kukësin, lidhur me fjalët dhe akuzat që flasin për një trukim të kësaj ndeshje. Për këtë arsye, ditën e djeshme është vendosur që t’i kërkohet Prokurorisë të nisë një hetim të plotë në lidhje me këto deklarata. Vendimi është marrë në mbledhjen e rradhës e Bordit Mbikëqyrës të këtij klubi.

Siç dihet, çdo të martë zhvillohet mbledhja e tij teksa merren në shqyrtim të gjitha problemet që kanë të bëjnë me klubin. Në këtë mledhje kanë qenë të pranishëm anëtarët e Bordit, drejtuesit e klubit Kalamishi e Grima si dhe trajneri Raineri. Nuk ka munguar as kryebashkiaku Luka. Në këtë mbledhje është diskutuar për merkaton, është folur për gjendjen ekonomike- financiare por natyrisht që pjestarët e kësaj mbledhje nuk mund të qëndronin pasiv ndaj çështjes më të diskutuar në opionin por edhe në media ditët e fundit, atë të akuzave për trukim të ndeshjes Vllaznia- Kukësi.

Deklarata

Mbledhja ka zgjatur rreth 2 orë dhe në fund të saj, është dalë me një deklaratë për shtyp në të cilën ka vend edhe për kërkesën ndaj Prokurorisë. “Nisur nga komentet e ditëve të fundit në lidhje me deklarimet e ngritura ne media, për një trukim të mundshëm të ndeshjes Vllaznia- Kukësi, Klubi i Futbollit Vllaznia, i kërkon Prokurorisë te nise nje hetim te plote ne lidhje me keto deklarata.   Klubi i Futbollit Vllaznia eshte i hapur dhe i kerkon Prokurorise qe te hetoje jo vetem kete ndeshje, por cdo ndeshje te kalur e te ardhme te Vllaznise. Kjo në kuadër të transparencës dhe konsolidimit të funksionimit të ekipit të Vllaznisë. Gjithashtu kërkojmë që çdo person që ka prova e fakte në lidhje me këto raste, t’i drejtohet Prokurorisë për hetimin e tyre dhe të mos disinformoje opinionin publik me qëllime dashakeqëse, sepse kështu po tentohet t’i shkaktohet një dëm i madh emrit dhe imazhit të Klubit më të vjetër në Shqipëri”- thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat.
Administratori
Përveç shpërndarjes së deklaratës, në fund të mbledhjes së djeshme ka patur edhe një prononcim të administratorit Kalamishi për mediat në lidhje me këtë çështje. I pyetur nëse vetë klubi ka dyshime për përfshirje të lojtarëve në manipulimin e rezultatit të ndeshjes së fundit, ai është përgjigjur: “Klubi Vllaznia mund të them se nuk ka bërë dhe nuk ka ndër mend të bëjë pakt me askënd për këto çështje, përkundrazi është i vendosur për ta çuar deri në fund këtë gjë dhe të ndihmojë Prokurorinë për zbardhjen sa më parë të saj nëse vërtetë ka diçka për të zbardhur”. Ai ka lënë të kuptojë se mes klubeve nuk ka patur asnjë pakt. Sa për përfshirjen e ndonjë lojtari, kjo gjë nuk mund të zbardhet nga ana e klubit por nëse dikush ka prova e fakte, duhet t’i denoncojë në mënyrë që të ndihmojë në zbardhjen e të vërtetës dhe jo të flasë kot në media pa patur asnjë fakt. Pas kesaj deklarate, administratori Kalamishi paraditen e se merkures ka dorezuar ne Prokurorine e Shkodres kerkesen zyrtare per nisjen e hetimeve per akuzat e fundit ne te cilat eshte i perfshire edhe KF Vllaznia dhe ka kerkuar zbardhjen e tyre e nese nuk vertetohen, te denohen akuzuesit.

© shkodrasport.com