Tani ose në verë, Kevin Dodaj do të largohet nga Vllaznia dhe futbolli shqiptar. Sulmuesi 19-vjeçar ka tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave të huaja dhe për momentin duket se ka bindur të paktën dy klube europiane të investojnë për të, duke e parë si një lojtar me të ardhme të sigurt.
Destinacionet e titullarit të skuadrës shkodrane mund të jenë Franca ose Ukraina. Varet kush do të plotësojë e para kushtet e vendosura nga klubi i Vllaznisë, ose më saktë nga presidenti Alban Xhaferi.
“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se për të firmosur marrëveshjen e shitjes së Dodajt së pari duhen derdhur 500 mijë euro në arkën e klubit shkodran. Nëse Lens në Francë, apo Kolos Kovalivka në Ukrainë e pranojnë këtë shifër, atëherë lëvizja e sulmuesit mund të kryhet menjëherë. Në të kundërt, lojtari do të mbyllë sezonin me fanellën kuqeblu dhe gjithçka do të shtyhet për në verë.
KARTONI – Një tjetër kush i Vllaznisë për shitjen e Balajt është përqindja e kartonit. Nga të njëjtat burime gazeta ka mësuar se klubi shkodran synon të mbajë një përqindje të lartë kartoni, rreth 20%, që të përfitojë përsëri financiarisht në rast të shitjes së sulmuesit nga klubi që do ta blejë nga Vllaznia.
Dodaj është vetëm 19 vjeç dhe me atë që ka treguar këtë sezon, ku është titullar fiks dhe ka shënuar deri tani 5 gola, ka premisa për ta rritur në vazhdimësi nivelin e tij. Po ashtu, grumbullimi me Kombëtaren U-21 të Shqipërisë i ka rritur kreditet e tij në treg. Për këtë arsye drejtuesit e Vllaznisë duan që të mbajnë një përqindje të konsiderueshme të kartonit.
SEZONI – Klubi kuqeblu nuk do të hezitonte për shitjen e menjëhershme të sulmuesit, nëse plotësohen kushtet e përmendura më sipër, por edhe nëse Dodaj qëndron deri në fund të sezonit Vllaznia përfiton. Skuadra shkodrane është në lojë për të dy trofetë e sezonit dhe Dodaj do t’i jepte një dorë këto muaj të fundit, para se të transferohet në një klub më të rëndësishëm të Europës. Sulmuesi anësor është nga titullarët më të rëndësishëm në formacionin e trajnerit Tomas Brdariç.
Në anën tjetër, ndoshta edhe vetë lojtarit do t’i bënte mirë që sezonin ta mbyllte me Vllazninë për të fituar më shumë pjekuri. Të dyja pistat janë të hapura, kjo është situata e momentit me një nga “xhevahiret” e Superiores që së shpejti do të provojë aventurën e parë jashtë Shqipërisë.