Te Vllaznia duhen me patjetër afrime të disa futbollistëve në merkaton e janarit, kryesisht në sulm, por edhe në mbrojtje. Të paktën, ky është synimi i klubit në këtë janar. Kuqeblutë kërkojnë të afrojnë futbollistë pothuajse në çdo repart, por gjithsesi kjo mbetet për t’u parë rrugës.
Në këtë moment që flasim, trajneri Mirel Josa, drejtori Auron Miloti dhe sekretari Blendi Dibra janë duke vrarë mendjen për të afruar futbollistë. Emra ka sa të duash, por gjërat nuk janë të lehta. Josa nga ana e tij kërkon futbollistë dhe afrime pothuajse në çdo repart, për të kompletuar ekipin për pjesën e dytë të sezonit, sepse skuadra dhe synimet kërkojnë organikë.
Prej pak ditësh, për kuqeblutë ka dalë në skenë emri i Rubin Hebajt, por mbetet për t’u parë në vazhdim se si do të shkojë një pistë e tillë në këtë merkato, pasi ai duket më larg se sa afër Vllaznisë.
Në fakt, Vllaznia dhe drejtuesit e saj kanë si qëllim që të afrojnë futbollistë të njohur dhe cilësorë për vazhdimësinë e klubit kuqeblu drejt synimeve që ata kanë.
Maringlen ZHIVANI