Opinion nga Redan BUSHATI
Kuqeblutë tanë kanë edhe dy ndeshje tejet të rëndësishme për ecurinë e tyre në kampionat: ditën e sotme ndaj Flamurtarit, në «Loro Boriçi», në orën 17:00, si dhe javën e ardhshme në transfertën e vështirë të Krujës, aty ku do të përballen edhe me “ish-ët” e saj, të rinjtë Gocaj e Sykaj, apo edhe ndonjë tjetër.Tashmë i dimë problemet e Vllaznisë, pjesa më e madhe e tyre të trashëguara prej vitesh; jemi njohur edhe me dështimet e saj në merkaton e verës, ku Rexha dhe Hysa, me keqardhje, janë dy dështimet më të mëdha. Gjithashtu e dimë se Vllaznia nuk po kalon, në këto ndeshjet e fundit, një situatë të mirë; e nga ana tjetër, ato që ndodhën në “majat” e piramidës së drejtimit të ekipit nuk kanë “hise” nga futbolli dhe nuk marrin “erë” nga ai, aq sa, ndoshta edhe po ekzagjeroj, nuk dinë edhe sa kupa e kampionate ka ekipi qysh nga krijimi i tij (megjithëse deri sa të kthejnë përgjigje ndaj opinionit shkodran për një gjë të tillë, me siguri do të pyesin ndonjë nga brenda klubit, si Grimën apo Sinanin me shokë). Gjithsesi, përpos këtyre Vllaznia kërkon mbështetje. Ndaj, sa dhe si të mundemi, të gjithë së bashku, duhet ta mbështesim në këto dy ndeshje Vllazninë e zemrës. Ajo ka dy ndeshje finale – do t’i quaja të tilla për vetë faktin se nëse nuk merren 6 pikë nga këto dy ndeshje, apo edhe 4 pikë, atëherë me shumë mundësi ky do të jetë një tjetër sezon i dështuar i kuqebluve, duke mos arritur as minimumin e mundshëm nga pretendimet që kemi të gjithë ndaj kësaj Vllaznie, pjesëmarrjen në Europa Ligë. Megjithatë, futbollistët, me në krye kapitenin e tyre, Elvin Beqiri, dhe stafi teknik, me në krye trajnerin, Shpëtim Duro, kërkojnë mbështetjen e tifozërisë shkodrane. Ndaj, ne të bëjmë punën tonë, brenda mundësive kohore dhe financiare, që të mbështesim Vllazninë, pjesa tjetër u takon atyre që do të luajnë në fushën e lojës, nën “dirigjimin” e Duros. Paçin(m) fat!