Skuadra e Vllaznisë në basketboll për meshkuj po përgatitet intensivisht për Kampionatin e ri që akoma nuk është përcaktuar se kur mund të fillojë. Shkodranët këtë sezon kanë në përbërje një grup të mirë basketbollistësh dhe kërkojnë të jenë të paktën mes katër ekipeve më të mira në grupin A dhe jo siç ndodhi në dy sezonet e fundit kur Vllaznia rrezikoi rënien në grupin B. Është vetë trajneri Bledar Gjeçaj që flet për ekipin e riformatuar të Vllaznisë teksa konfirmos se të gjithë basketbollistët kanë firmosur dhe se kësaj here do të jetë një Vllazni ndryshe nga ajo e dy viteve të fundit.
Gjithashtu siguron se skuadra e tij është kthyer në “Shoqëri Sportive” duke plotësuar kriteret e Federatës dhe se tashmë pret vetëm shortin dhe përcaktimin për nisjen e Kampionatit. “Unë besoj që skuadra ka ndryshuar. Të gjithë basketbollistët kanë firmosur. Megjithatë kemi patur probleme sepse tashmë dihet që ekipet e tjera synojnë lojtarë por jemi munduar që me ato pak mundësi që kemi patur të rregullojmë basketbollistët që kemi aktualisht në përbërje. Besoj që këtë vit për Vllazninë, ka për të qënë një kampionat ndryshe. Kemi basketbollistë shtatlartë si Faslija,. Ndoja, Nexhimi, Halluni apo të tjerë. Unë besoj që luftën gjithmonë e bëjmë për 4 vendet e para për t’u futur në Play Off, sepse ky është synimi i të gjitha skuadrave besoj. Pastaj në Play Off, aty vendosen gjërat. Megjithatë ka një fazë të dytë që ndoshta me ndonjë donacion të mirë mund të marrim, gjithmonë nëse arrijmë të marrim, ndonjë përforcim. Kjo do të kishtë qenë një luks i madh për ekipin e Vllaznisë. Kështu që nuk është mirë të flasim përpara, por ajo që dua të them është se në përgjithësi unë jam i kënaqur me ekipin, jam i kënaqur me stërvitjen që kanë zhvilluar basketbollistët. Unë shpresoj që ky kampionat ka për të qenë i mirë për Vllazninë” – thotë Gjeçaj. Trajneri i shkodranëve flet edhe për kthimin në “Shoqëri Sportive” si kusht për regjistrimin në Federatën Shqiptarë të Basketbollit për të marrë pjesë në të gjitha aktivitet Kombëtare që zhvillohen. “Të gjitha proçedurat i kemi kryer, jemi në rregull me Federatën dhe presim vetëm hedhjen e shortit dhe nisjen e sezonit të ri” – thekson Gjeçaj. Vllaznia para pak ditësh zhvilloi një ndeshje miqësore me Prizrenin teksa me ekip të përgjysmuar u mund 69-86. Vllaznia këtë sezon pritet të jetë një ekip i fortë duke qenë se në gjirin e saj janë rikthyer disa basketbollistë cilësor që bashkë me ata që kanë qenë formojnë një ansambël të këndshëm që do t’i qesë punë çdo skuadre në Shqipëri. Nuk duhet të çuditemi nëse në fund të sezonit shkodranët tregohen surprizues.