Vllaznia nuk arrin që të fitojë prej një muaji, teksa në katër ndeshjet që ka zhvilluar ka pësuar dy humbje e ka marrë vetëm 2 barazime. Skuadra shkodrane garon në dy fronte, por natyrisht që kërkon që të sigurojë një biletë për në Conference league që nga kampionati, ku do të kërkojë që të shfrytëzojë dhe hapin e gabuar të Kukësit që barazoi të shtunën.
Trajneri Elvis Plori nuk do të ketë të disponueshëm sërish Gurishtën, i cili vijon të jetë i dëmtuar. Në 9 ndeshjet e fundit si pritës në kampionat, Vllaznia ka pësuar vetëm 1 humbje, në klasiken me Tiranën, një tregues se faktoi fushë ndikon tek skuadra kuqeblu.
Përballë do të jetë Kastrioti, një prej ekipeve që në fazën e tretë ka pasur një rritje të dukshme. Skuadra e Emiljano Çelës nuk njeh humbje në katër ndeshjet e fundit në Abissnet Superiore, ku ka koleksionuar 3 fitore dhe 1 barazim duke pësuar vetëm një gol Megjithatë, sfidat në transferta nuk janë një pikë e fortë e skuadrës krutane, që ka arritur vetëm 1 sukses jashtë shtëpi, ndaj Teutës në tranfertën e fundit.
Vllaznia ka arritur që ti marrë 6 pikë të plota në dy ndeshjet e zhvilluara këtë edicion skuadrës së Kastriotit, por në këtë përballje do të jetë një tjetër muzikë, me krutanët që kanë patur një performancë shumë më të mirë se shkodranët në javët e fundit dhe duket e vështirë për të bërë një parashikim për skuadrën që do të jetë favorite.