Situata tek Vllaznia vetëm pak ditë para nisjes së kampionatit po shkon drejt normalizimit. Vetëm 4 ditë para ndeshjes së parë me Kukësin, skuadra tashmë ka filluar të plotësohet. Pasi janë firmosur kontratat me 20 futbollistë, pritet që këto ditë të mbyllen edhe 2-3 kontrata të tjera. Me skuadrën në stërvitje është bashkuar mbrojtësi serb Mehmedoviç ndërkohë që ende nuk dihet se çfarë do ndodhë me mbrojtësin tjetër, kosovarin Durim Badalli. Ai është në stërvitje por nuk ka firmosur akoma me kuqeblutë. Nga ana tjetër, katër afrikanët që kanë mbërritur në provë tek Vllaznia, janë larguar nga ana e stafit drejtues si të panevojshëm sepse nuk kishin kualitetin e duhur për të përfaqësuar këtë skuadër.
E në situatën kur afrikanët janë larguar, mund të mbërrijnë tre futbollistë uruguajanë. Bëhet fjalë për lojtarë të rinj dhe cilësorë. Më I bujshmi në këtë afrim pritet të jetë Sebastian Soza, një lojtar 20 vjeçar që luan si sulmues dhe është në pronësi të klubit Italian Palermo. Presidenti Roberto Nava është në negociata me drejtuesit e klubit Italian për ta marrë në formë huazimi për një sezon. Ai do t’I bënte mjaft punë kuqebluve sepse për momentin nuk kanë një lojtar cilësor në këtë repart. Bashkë me të mund të vijnë edhe dy mesfushorë, Xhorxhino Aguirre dhe Sebastian Rodriguez. Në këtë mënyrë Vllaznia ka filluar të kompletohet. Natyrisht po tentohet edhe gjetja e një portieri cilësor por për momentin ende nuk ka një emër. Megjithatë gjërat kanë filluar të normalizohen dhe kjo është e rëndësishme pavarësisht se me shumë vonesë.
www.shkodrasport.com