Vllaznia në volejboll për meshkuj ka nisur përgatitjet për sezonin e ri në të cilin natyrisht që pritet një paraqitje ndryshe nga ajo e sezonit që lamë pas. Ekipi gjatë këtyre ditëve është duke punuar jo me ngarkesa por thjesht për të ruajtur formën fizike të sportistëve por me kalimin e kohës, ajo do të vijë duke u shtuar në mënyrë që kur të nisë kampionati, gjërat të jenë aty ku duhet.

Temperaturat e larta të këtyre ditëve nuk janë të përshtatshme për ngarkesa në stërvitje dhe prandaj, stafi teknik ka toleruar në njëfarë mënyrë me realizimin e procesit stërvitor.

Në dispozicion të trajnerit Ermal Kraja janë të njëjtët lojtarë të cilët kanë mbyllur sezonin e mëparshëm dhe bashkë me to gjatë këtyre ditëve është stërvitur edhe Nikolin Qafarena.

Ky i fundit siç dihet në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar kaloi tek ekipi Peja i Kosovës me të cilin madje u shpall edhe kampion dhe fitoi Superkupën. Në Pejë duan ta kenë në rradhët e tyre edhe për sezonin që vjen megjithatë lojtari me shumë përvojë po sheh mundësinë e rikthimit tek Vllaznia.

Ai është duke biseduar me drejtuesit e klubit për këtë çështje dhe në ditët e ardhshme mund të ketë edhe ndonjë vendim përfundimtar. Vllaznia e ka për detyrë të rikthehet sërish në nivele të larta.

Titulli kampion i para dy viteve ka qenë “qershia mbi tortë” për të gjithë pjestarët e këtij ekipi që kanë provuar një ndjesi shumë të madhe me këtë rast por ajo nuk duhet të mbesë e vetme.

Por për t’u shpallur sërish kampion, padyshim që duhet shumë punë dhe përpos kësaj edhe ndonjë përforcim cilësor që për momentin nuk është e sigurtë se do të vijë. Megjithatë kthimi i mundshëm i Nikolin Qafarenës do të ishte diçka shumë e mirë për këtë ekip.
www.shkodrasport.com