Në projektbuxhetin për vitin 2019, për klubin Vllaznia të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme disa javë më parë, ishte parashikuar që në arkat e klubit të derdheshin rreth 1 miliardë lekë të vjetra për këtë vit.

Dhe në të parashikohej që 30 milionë lekë të vjetra të arkëtohen nga fitimi i titullit kampion të Kategorisë së Parë. Pasi kanë arritur që të sigurojnë katër javë nga përfundimi i sezonit kthimin në Superiore, tashmë drejtuesit kërkojnë medoemos edhe titullin, ndërsa në finale pritet që të kenë përballë Bylisin. Për këtë, stafi teknik duket se ka nisur që të mendojnë që javën e kaluar.

Një pjesë e lojtarëve titullarë që kanë mbajtur peshën kryesore gjatë sezonit, me në krye kapitenin Gilman Lika, janë lënë pushim. Kjo për të vetmen arsye që të jenë të gatshëm për përballjen finale. Megjithatë, jo të gjithë do të qëndrojnë në stol, pasi do të alternohen për të mos humbur formën e tyre.

XHUNIOR
I vetmi nga lojtarët e formacionit të parë që duket se nuk do të aktivizohet deri në fund të këtij sezoni, por vetëm në përballjen finale të kampionatit, është braziliani i sulmit, Silvio Xhunior. Në ndeshjen e kaluar ndaj Korabit ka qenë në stolin e rezervave dhe nuk ka luajtur asnjë minutë për Vllazninë.

Me siguri që kështu do të ndodhë edhe në tri sfidat e ardhshme, ato me Dinamon, Besëlidhjen dhe Erzenin. Sigurimi i objektivit për t’u ngjitur në elitë ka bërë që stafi teknik i kuqebluve t’u japë mundësinë lojtarëve të tjerë të repartit të sulmit për të luajtur dhe për të marrë më shumë minuta.

Ndërkohë, braziliani Xhunior vazhdon të stërvitet me të njëjtën dëshirë dhe seriozitet, ndërsa drejtuesit e skuadrës po e mbajnë atë “në karantinë” të gatshëm për finalen që vlen 30 milionë lekë të vjetra. Ai ka shënuar 12 gola deri tani dhe është golashënuesi më i mirë i kampionatit. Në fillim kishte skepticizëm për të, por tregoi formë të mirë dhe fitoi besimin e të gjithëve./panoramasport/