Shumë të tjerë kanë filluar të dalin në skenë dhe kërkojnë të marrin drejtimin e Vllaznisë në sezonin e ri por në fakt, ky klub e ka ende një trajner nën kontratë dhe të gatshëm për të vazhduar punën. Bëhet fjalë për Ervis Krajën.

Njeriu që drejtoi kuqeblutë në dy javët e fundit të sezonit që sapo mbaroi, pikërisht në ndeshjet ndaj Kukësit dhe Skënderbeut, e ka shprehur hapur dëshirën e tij për të drejtuar këtë skuadër edhe në kategorinë e parë.

Për më tepër që tashmë e ka një përvojë në këtë kategori sepse siç dihet sezonin e kaluar drejtoi Vllazninë B.

Drejtuesit e klubit e kanë të qartë se Kraja është I gatshëm të marrë përsipër drejtimin e kuqebluve dhe mbetet tashmë të japin vendimin përfundimtar.

Kjo natyrisht që do të shtyhet derisa të emërohen drejtuesit e rinj. Mbase ata nuk do kenë nevojë të dalin të kërkojnë për trajner, kur e kanë brenda në shtëpi.

Por, akoma asgjë nuk është zyrtarizuar, kjo edhe ngaqë janë edhe disa trajnerë të tjerë që tentojnë të ulen në pankinën e Vllaznisë.

Emri I madh që ka kjo skuadër ka bërë që gjetja e trajnerit të mos jetë problem, madje shumë edhe vetëofrohen kur ndoshta duhej të ishte ndryshe.

Përgjegjësia e drejtimit të kësaj skuadre është e madhe dhe këtë e kanë provuar edhe trajnerë me shumë emër.

Megjithatë ekipi do të luajë sivjet në kategorinë e parë dhe ky ndoshta është një test prove për to.

Në fakt, Vllaznia nuk ka kohë për prova. Ajo jo vetëm duhet të rikthehet sa më shpejt në Superligë, por të hedhë edhe bazat e ekipit për sezonin tjetër pastaj për të konkurruar në nivele të larta.
© shkodrasport.com