Sipas koeficentëve të vendosur nga kompania në fjalë, Skënderbeu shikohet si skuadra favorite për fitimin e titullit kampion në sezonin 2017-2018. Koeficienti i korçarëve për të dalë kampion është 2.2, ku padyshim favorit i bën ecuria në Ligën e Europës gjatë kësaj vere, por edhe merkatoja. Pas Skënderbeut, vjen Partizani me koeficient 3. Kampionët në fuqi, Kukësi, kanë kuotën e tretë më të favorshme. Kuksianët kanë pësuar ndryshme të mëdha gjatë kësaj vere dhe për këtë arsye, koeficienti 4, i lë në vend të tretë verilindorët duke mos i shikuar favoritë në mbrojtjen e titullit.

Pas kësaj tresheje koeficientet vijnë në rritje të dukshme, ku Teuta është e katërta në kuotën 30, më pas vjen Flamurtari me koeficient 40. Vllaznia e trajnerit Armando Cungu e ka koeficientin 60 që fiton titullin kampion në sezonin e ri dhe më pas vjen Laçi me koeficient 150. Luftëtari ishte surpriza e sezonit të shkuar, ku në fund gjirokastritët u renditën të katërtit. Por me ikjen e trajnerit Milinkoviç kanë rënë ndjeshëm kreditet për gjirokastritët, të cilët vlerësohen me koeficientin 250. Klubet e ngjitura në elitë, Kamza dhe Lushnja, mund t’i bëjnë milionerë bastexhinjtë, nëse ato bëjnë surprizën e madhe për t’u shpallur kampion në fund të sezonit. 500 është koeficienti i Kamzës për të dalë kampion, ndërsa kuota e Lushnjës, 1 mijë, tregon se titulli mbetet utopi për verdhëjeshilët.