Vllaznia është e përfshirë nga e njëjta situatë e vështirë si sezonin e kaluar, kur siguroi qëndrimin vetëm në javën e fundit.

Kuqeblutë kanë pësuar dy disfata radhazi, që e kanë ndërlikuar së tepërmi objektivin mbijetesë.

I gjithë ambienti shkodran dhe drejtuesit e klubit kërkojnë një reagim të fortë nga skuadra dhe për këtë arsye u zhvillua një mbeldhje me dyer të mbyllura në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi”.

Kryetarja e bashkisë, që është njëkohësisht edhe presidente e klubit, Voltana Ademi, anëtarë të këshillit bashkiak, figura të njohura të futbollit shkodran diskutuan për 2 orë me skuadrën dhe stafin teknik për të kuptuar se çfarë nuk po funksionon dhe si mund të dilet nga kjo gjendje jo e mirë.

Në përfundim të mbledhjes, administratori Astrit Gjyrezi u shpreh për mediat se qëllimi kryesor i takimit ishte mbështetja për skuadrën dhe marrja e përgjegjësive.

Pas sfidës ndaj Luftëtarit u ngritën edhe dyshime për të ardhmen e trajnerit Gjoka.

Në lidhje me këtë pikëpyetje Gjyrezi ishte i qartë duke konfirmuar teknikun aktual, teksa theksoi se nuk ka asnjë penalizim për ekipin

Vllaznia aktualisht ndodhet në vendin e parafundit me të njëjtën kuotë pikësh me Teutën, por ndeshjet direkte favorizojnë durrsakët. Të shtunën kuqeblutë do të përballen me Laçin në Shkodër./supersport/