Marrin fund dilemat per vendin se ku do ta zhvilloje fazen pergatitore ekipi i Vllaznise. Klubi shkodran ka konfirmuar sot faktin se në ditët e para të vitit të ardhshëm, ekipi do të spostohet në Ulqin për zhvillimin atje të fazës më intensive të përgatitjeve në prag të nisjes së gjysmës së dytë të sezonit. Në këtë mënyrë, marrin fund edhe dilemat që kanë qarkulluar ditët e fundit në media apo dhe në opinionin sportiv për vendin se ku do të stërviteshin kuqeblutë por edhe fakti nëse do kishte stërvitje jashtë Shqipërisë apo jo.
Ata kësisoj do të sistemohen për një periudhë dyjavore në rezidencën e tyre të zakonshme, në bregdetin malazez ndërkohë që stafi teknik do të mundohet të sigurojë edhe 2-3 ndeshje miqësore gjatë kësaj periudhe të qëndrimit atje. Nga ana tjetër, burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e disa lojtarëve cilësorë për të përforcuar skuadrën. Emrat që qarkullojnë deri më tani janë ato të Sukajt, Shtubinës e Cicmil megjithatë ende nuk ka asgjë të përfunduar. Para se të mendohet për të ofruar lojtarë, natyrisht që u duhet dhënë zgjidhje kërkesave të lojtarëve për t’u larguar apo ndonjë oferte të ardhur për ndonjë lojtar tjetër. Kështu, ende nuk është mbyllur çështja e mesfushorit Edon Hasani ndërkohë që edhe Partizani vazhdon të ngulmojë për futbollistin Erald Çinari. Merkatoja e Vllaznisë kësisoj pritet të jetë “e nxehtë” dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë shumë lëvizje në skuadër.
www.shkodrasport.com