Vllaznia pësoi humbjen e parë sezonale dje kundër Kukësit në transfertë në shifrat 2-0. Disfatë që la një shije të hidhur tek kuqeblutë që këtë sezon kanë pretendime shumë të larta për kampionatin. Por, dallohet qartë që ajo që po shqetëson tek kuqeblutë është pësimi i golave.
Mbrojtja e Vllaznisë ka pësuar 10 gola në 6 javët e para të kampionatit. Më keq se Vllaznia ka bërë vetëm Laçi që ka pësuar 11 të tillë.
Një shifër kjo shumë e lartë e pësimit të golave për një skuadër që pretendon të shpallet kampion. Patjetër që me sistemin shumë sulmues që përdor Vllaznia, hapësirat që lihen pas do jenë të shumta për kundërshtarët.
Por, nuk është e justifikueshme që Vllaznia pëson gol çdo ndeshje. Vetëm në takimin kundër Skënderbeut, kuqeblutë e kanë mbajtur portën të paprekur ku ndeshja u mbyll 0-0. Po ti hedhim një sy edhe shifrave të sezonit të kaluar, Vllaznia ka pësuar vetëm 22 gola në gjithë kampionatin.
E ndërsa këtë sezon thuajse gjysmën e këtyre golave i ka pësuar ende pa u mbyllur faza e parë e kampionatit. Kjo është një sirenë alarmi për stafin teknik që ta rregullojë në ndeshjet e ardhshme, pasi edhe kundërshtarët nga ndeshja në ndeshje po e shfrytëzojnë këtë pikë të dobët të shkodranëve.
Endri ÇINARI