Kryhen testimet e radhës për “COVID19” te Vllaznia. Klubi kishte menduar që ta niste javën me tamponë, e megjithatë kjo procedurë ishte shtyrë për sot. Duke përfituar nga shtyrja e kampionatit, stafi teknik e ka lënë një ditë pushim ekipin.
Ata sot jane rikthyer në fushë për të nisur një tjetër javë përgatitjesh, por ky 24-orësh do t’u shërbejë për të parë edhe gjendjen e pjesës tjetër të grupit
Pra, nëse do të ketë ndonjëri shenja të ngjashme me ato të virusit, atëherë edhe drejtuesit do të kenë një panoramë më të qartë të situatës. Kujtojmë që të dielën dolën pozitivë edhe 4 futbollistë të tjerë, duke e çuar numrin e të prekurve në 8.
Vërtet Herald Marku, Florind Bardulla, Aleksandar Isaevski e Mehdi Çoba nuk kanë pasur kurrfarë shenje, por tre prej tyre kanë qenë edhe në fushë (në miqësoren me Vllazninë U21) një ditë para se të merrnin përgjigjet.
Stafi mjekësor mendon se nuk ka vend për alarm, gjithsesi një lloj frike në radhët e lojtarëve ekziston. Dhe për të qetësuar gjithkënd, ISHP-ja ka testuar sot gjithë pjesën tjetër të ekipit të Vllaznisë.
Veç katërshes së përmendur më lart, vazhdojnë të jenë të karantinuar edhe Erdenis Gurishta, Eni Imami, Uheid Hoxha dhe zv.trajneri Elvis Plori.
Gjendja e tyre është e qëndrueshme dhe pa kurrfarë komplikacioni, e megjithatë për të mos rrezikuar infektimin e të tjerëve janë ngujuar në kushtet e shtëpisë.