Kategoria Superiore mbylli ditën e sotme javën e 6-të. Pas barazimit ditën e djeshme 0-0 mes Tiranës dhe Partizanit, ditën e sotme u luajtën edhe 4 sfidat e tjera. Vllaznia fitoi 1-0 ndaj Bylisit, Skënderbeu barazoi 1-1 ndaj Laçit, Kukësi fitoi 1-0 ndaj Apolonisë, ndërsa Teuta barazoi sërish 1-1 kundër Kastriotit. Newsport.al ju sjell formacionin dhe trajnerin më të mirë të javës.
Angelos Tafas (Kukësi): Kukësi arrin të marri një fitore minimale mes shumë vuajtjes. Portieri Tafas ishte nëj nga lojtarët më të mirë te Kukësi, pret disa raste të Apolonisë duke mbajtur portën të pa prekur. Për momentin duket se ka fituar balotazhin me Xhikën dhe Elzajn dhe është ai portieri titullar. Në fund i gjithë mundi i tij shpërblehet me golin e Eze dhe Kukësi merr 3 pikët e radhës.
Ardit Toli (Tirana): Këtë herë trajneri Nevil Dede i cakton një rol të ri në fushë. Toli nuk e ka aspak problem të përshtatet dhe bën mjaft mirë në mesfushë. Rikuperon shumë topa, i rrezikshëm në fazën sulmuese dhe shumë i saktë me ndërtimin e lojës. Në mungesë të Çelhakës mund të jetë ai “xholi” i Tiranës pasi mund të luajë në krahun e djathtë që është roli i tij natyral, por edhe në mesfushë.
Eni Imami (Vllaznia): Gol me shije 3 pikësh. Imami ka gjetur formën më të mirë te Vllaznia dhe kjo shihet nga ndeshja në ndeshje. Ndaj Bylisit ishte i pakalushëm, shënon golin e fitores, por largon gjithashtu një top deçiziv në mbrojtjen e tij duke i mohuar golin e barazimin ballshiotëve dhe ishte njësoj si të shënonte golin e dytë në këtë ndeshje.
Kristi Vangjeli (Tirana): Dede e rikthen titullar dhe mbrojtësi me eskperiencë tregon se ka ende shumë për të dhënë në futbollin shqiptar. Ishte i pakalushëm në fushën e lojës edhe pse përballë kishte një Solomon që nuk ndalej. Me qetësin dhe eskperiencën e tij mbyll shumë aksione duke bërë që mos pësoi gol e ndoshta Dede duhet të mendohet dy herë përpara se ta lëri sërish në stol.
Uerdi Mara (Skënderbeu): Në Korçë duket se po lind një ylli i ri i quajtur Uerdi Mara. Mesfushori 21-vjeçar nga ndeshja në ndeshje po tregon një rritje të jashtëzakonshme. Sot i shënon një gol kryevepër Laçit, por në fund nuk kishte shijen e 3 pikëve. Ndërtimet e aksioneve të Skënderbeut kalojnë nga këmbët e tij dhe është gjithmonë i saktë me pasimet që jep.
Rron Broja (Partizani): Nuk kursehet aspak për skuadrën. Vrapon në fushën e lojës sa për dy lojtarë prish çdo aksion të kundërshtarëve. Edhe këtë sezon, Broja tregon që është një pikë e fortë e këtij Partizani. Padyshim një nga më të mirët e Partizanit në derbi ndaj Tiranës.
Lorenco Vila (Teuta): Talenti nuk i mungon, por ai pezullim nga klubi tregon se duhet të rritet ende nga ana e karakterit. I kërkon falje klubit, futet në fushë ndaj Kastriotit dhe shpëton Teutën nga humbja. Një lojtar që i kishte munguar jo pak ekipit durrsak në ndeshjet e kaluara dhe tregon që është një pikë kyçe e kësaj skuadre. Me futjen e tij në lojë, Teuta ndryshoi edhe ritmin e ndeshjes, ndërsa goli i tij shpëton skuadrën nga humbja, ndoshta edhe stolin e trajnerit Martini…
Mentor Mazrekaj (Laçi): I mjaftojnë 45 minuta për të treguar gjithë klasin e tij. Goli i shënuar i Laçit vjen pas një pasimi magjik të tij për Harmon që i vetëm me Dajsinanin e dërgon në rrjetë. Forma fizike nuk e favorizon, por sa herë futet në fushë tregon se klasi është ende në këmbët e tij edhe pse është në moshën 31-vjeçare.
Patrik Bardhi (Kastrioti): Nuk shënon gol, por në krahun e djathtë është i pa përmbajtshëm. Vë shumë herë në vështirësi Kouros, aq sa trajneri Martini detyrohet ta nxjerri nga fusha mbrojtësin e majtë pasi rrezikonte të dilte edhe me kartonin e kuq. I shpejt, i saktë me krosimet e tij që nuk shfytëzohen nga shokët e skuadrës. Edhe pse nuk shënoi ishte një nga më të mirët për skuadrën krutane që deri tani i ka surprizuar të gjithë në Superligë.
Theophilus Solomon (Partizani): Këtë sezon nuk luan si sulmues “pykë”, por në krah dhe duket se ka gjetur veten dhe formën e tij më të mirë. Në derbi ndaj Tiranës është i pandalshëm, ndëmerr shumë herë aksione personale duke dribluar këdo që i del përpara. Puna e mirë e bërë nga Ilir Daja shihet edhe te transformimi i Solomon që këtë sezon është ndryshe nga viti i kaluar.
Patrick Friday Eze (Kukësi): Goli i dytë radhazi në kampionat, por këtë herë deçiziv dhe me shije 3 pikësh. Edhe pse gabon shumë raste për gol, në fund arrin të gjejë rrugën e rrjetës duke i dhënë kështu Kukësit fitoren e radhës në kampionat. Nga ndeshja në ndeshje po rritet akoma më shumë dhe te Kukësi presin ende nga cilësitë e tij.
Julian Ahmataj (Skënderbeu): T’i marrësh një barazim një Laçi që pretendon për titull kampion nuk është pak. Ahmataj me Skënderbeun e tij reagojnë mjaft mirë pas humbjes së thellë 4-0 nga Partizani një javë më parë. Këtë herë kishin sërish një tjetër skuadër që kërkon titullin kampion dhe i shkojnë shumë pranë marrjes së 3 pikëshit, por një gol në minutat e fundit i heq fitoren korçarëve. Puna e mirë e bërë gjatës javës u pa edhe në fushën e lojës me skuadrën që u vendos mjaft mirë dhe arriti të mbyllte të gjitha sulmet e Laçit.
Skëndër Gega (Kukësi): Këtë herë kemi vendosur që të fusim dy trajner në formacion dhe jo pa qëllim. Kukësi fitoi ndaj Apolonisë, një ndeshje e lehtë në letër edhe pse në fushë u pa tjetër gjë. Trajneri Skënder Gega nga spitali vendosi të ishte në stolin e skuadrës për ta drejtuar në këtë ndeshje edhe pse duhej të ishte në shtëpi për marrë veten nga sëmundja që kaloi prej Covid-19. Një trajner kampion, me dëshirë dhe ego të madhe që nuk e brakstis kurrë skuadrën e tij.