Te Vllaznia, gjithçka ka mbetur në vend numëro. Me përjashtim të takimeve që kryebashkiakja Voltana Ademi po bën me specialistët shkodranë, ende nuk ka asnjë lëvizje konkrete për sa i përket ribërjes së klubit.

Në harkun kohor të më pak se një muaji janë larguar nga skuadra që mbylli sezonin e shkuar dy nga lojtarët e perspektivës siç ishte Arlind Kalaja e së fundmi edhe Eraldo Çinari. Por, këta nuk duket se do të jenë të vetmit.

OFERTAT

Në drejtim të lojtarëve kuqeblu skuadrat jashtë dhe brenda vendit kanë filluar që të lëshojnë “grepat”. Nga sa mësohet, në drejtim të Gilman Likës ka sinjale nga Azerbajxhani.

Menaxheri i lojtarit mësohet se po bën të pamundurën për ta kaluar këtë lojtar në shtetin e largët. Mësohet se edhe Erjon Vucaj ka një ofertë konkrete nga ekipi i Teutës.

Mesfushori shkodran ka një kontratë me të drejtë rinovimi. Ajo i përfundon në muajin qershor dhe më pas do të shikohet nëse do të rinovojë atë apo do të shikojë një ekip në Superiore për të qenë pjesë e tij.

Një tjetër emër që lakohet për t’u larguar është edhe ai i mbrojtësit Erdenis Gurishta.

Ky i fundit është kërkuar nga ana e ekipit të Laçit, por nëse për Likën e Vucajn gjërat janë më ndryshe për shkak të kushteve të kontratave që kanë, Gurishta ka një kontratë me klubin edhe për një sezon dhe duhet të marrë më parë lejekalimin.

Mirëpo, ofertat nuk kanë munguar as në drejtim të Ardit Krymit, ku së fundmi përveç Partizanit e Tiranës në luftë për të marrë lojtarin e U-21 është edhe skuadra e Teutës.

Madje mësohet se drejtues të këtij klubi kanë avancuar në bisedime me lojtarin. Por, sinjale vijnë edhe për Gocajt, një nga lojtarët stabël tek ekipi kuqeblu.

Por, nëse këta lojtarë janë në fokusin e ekipeve të tjera, largime të mundshme nga skuadra që mbylli sezonin e shkuar janë edhe ato të lojtarëve që u mbaron kontrata.

Andi Ribaj, Nuredin Orelesi, por edhe treshja e mbërritur në pjesën e dytë të sezonit, Renato Malota, Ergin Mersini e Sedat Berisha nuk pritet që të jenë më pjesë e ekipit të Vllaznisë. Po ashtu, pritet një vendim edhe për Xhevahir Sukajn./panorama-sport/