Dy golat e sulmuesit kroat Tomislav Bushiç në pjesën e dytë, i kanë mjaftuar Vllaznisë të mundë Lushnjën me rezultatin 2-0. Ka ndodhur kështu në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” në praninë e një numri jo shumë të madh tifozësh të cilët natyrshëm nuk ishin të kënaqur nga rezultatet e ndeshjeve të fundit të skuadrës së tyre. Ndonëse kuqeblutë vinin me mungesa në këtë ndeshje, ato nuk janë ndjerë. Në pjesën e parë në fakt loja nuk është ngjitur aty ku duhet. Vetëm tre raste për Vllazninë teksa në minutën e 8-të Shtubina duhej të kishte shënuar me kokë por topi është pritur nga portieri Spaho, në minutën e 17-të Hajdari shmang tre futbollistë dhe gjuan mbi traversë ndërsa në minutën e 45-të Hajdari ekzekuton një goditje dënimi dhe topi kalon ngjitur me shtyllën.
Fillimi i pjesës së dytë shoqërohet me dy zëvendësime të menjëherë nga ana e trajnerit Samuel Nikaj që e drejtonte skuadrën në këtë takim për shkak të pezUllimit të Canajt. Tafili i lë vendin Bardullës ndërsa Shtubina Dibrës. Loja fiton menjëherë ritëm dhe në minutën e 47-të Hajdari gjuan në drejtim të portës. Topi pengohet në dorën e Bizhytit dhe gjyqtari Ziri fare pranë aksionit akordon 11-metërsh. Nga pika e bardhë është kroati Bushiç që gjuan saktë dhe kalon në avantazh skuadrën e tij. Pas këtij goli, kuqeblutë fitojnë qetësinë. Krijojnë edhe raste të tjera por për të mbërritur tek goli i dytë duhej të prisnin deri në minutën e 78-të. Kruja ka hyrë në zonë, pason tek Bardulla, topi shkon në drejtim të portës dhe Bushiç me një intuitë të fortë e ndjek atë duke i ndërruar drejtim, drejtëpërdrejtë në rrjetë. Në minutën e 88-të Hajdari del i vetëm përballë portierit Spaho, e dërgon topin mbi të por ai kalon ngjitur me shtyllën e majtë pingule. Përfundimisht 2-0 për Vllazninë që ngjitet në kuotën e 21 pikëve duke mbajtur vendin e pestë në renditje. Kuqebluve tashmë u duhet të bëhen gati për ndeshjen e kupës të së mërkurës me Partizanin po në Shkodër.