Vllaznia kualifikohet për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj dhe bashkë me Tiranën janë të kualifikuara në përfundim të ndeshjeve të ditës së dytë të Grupit A. Në “Fahrie Hoti” po luhet faza eliminatore e këtij grupi, aty ku bardheblutë dhe kampionët nga Shkodra nuk kanë zhgënjyer, duke prerë para kohe një biletë për më tej, ndërkohë që eliminohen nga gara Farka Volley dhe Elbasani. Ndeshjet e nesërme do të vlejnë për të përcaktuar se kush skuadër do të renditet e para, pasi çështja kualifikim është tashmë e mbyllur.
Tirana siguroi e para një biletë për më tej, pas fitores 3-0 ndaj Elbasanit, në një ndeshje të dominuar nga bardheblutë. Elbasani nuk rivalizoi në asnjë set, duke luajtur dobët, ndërsa kryeqytetasit ishin superiorë në çdo drejtim dhe e merituan fitoren. më e bukur ndeshja tjetër, me kampionët shkodranë që vuajtën shumë për të mundur Farkën. Volejbollistët e Vllaznisë fitojnë dy setet e para, por Farka nuk dorëzohet dhe rihap ndeshjen, duke fituar setin e tretë. Por shkodranët mbyllin llogaritë në setin e katërt, pas fitores 26-24 në pikët shtesë në një ndeshje dramatike.
Kupa e Shqipërisë – Meshkuj (Grupi A-Fahrie Hoti)
8 dhjetor, Vllaznia – Elbasani, 3-1 (25-18, 25-15, 18-25, 25-12)
8 dhjetor, Farka Volley – Tirana, 0-3 (17-25, 23-25, 20-25)
9 dhjetor, Elbasani – Tirana, 0-3 (8-25, 19-25, 16-25)
9 dhjetor, Vllaznia – Farka Volley, 3-1 (25-23, 25-17, 24-26, 26-24)
Renditja: Tirana 6 pikë (2/0), Vllaznia 6 pikë (2/0), Elbasani 0 pikë (0/2), Farka Volley 0 pikë (0/2).
© shkodrasport.com