Nga Endri ÇINARI

Java e 25-të e Superiores do e gjejë Vllazninë në transfertë përballë Dinamos. Në një sfidë direkte mes dy skuadrave që tashmë e kanë “betonuar” vendin e tyre në “final 4”. Dhe një përballje mes tyre vlen përveç pikëve edhe prestigjin dhe kënaqësinë që të japin ndeshjet ndaj rivalëve direktë.

Forma e javëve të fundit e gjen Vllazninë disi të “avantazhuar” ndaj dinamovitëve. Kjo pasi shkodranët në 5 ndeshjet e zhvilluara në kampionat kanë marrë 12 pikë nga 15 të mundshme. Një rënie të formës këtë periudhë ka pasur ekipi i drejtuar nga Ilir Daja. “Nëndetësja” në 5 duelet e fundit në kampionat ka grumbulluar 6 pikë, duke u renditur tashmë në vendin e 4-ët me 40 pikë, shkruan shkodrasport.com

Megjithatë në përballjet direkte që kanë pasur dy skuadrat këtë sezon, historia flet në favor të Dinamos. Blutë nga kryeqyteti janë i vetmi ekip këtë edicion ndaj të cilëve Vllaznia nuk ka grumbulluar asnjë pikë. Kjo pasi Dinamo fitoi me përmbysje në shifrat 2-1 në përballjen e fazës së parë e ndërsa i mposhti shkodranët edhe në “Loro Boriçi” në duelin e fazës së dytë me shifrat 2-3.

Duke i shkaktuar në këtë mënyrë edhe humbjen e parë sezonale në shtëpi kuqebluve. Vllaznia nga ana e saj do kërkojë ta “thyejë” këtë tabu ndaj Dinamos, ku të shtunën kërkon rezultat pozitiv në transfertë përballë 18 herë kampionëve të vendit.(www.shkodrasport.com)