Opinion nga Gjergj Kola

Fitorja e Vllaznisë mbrëmjen e së premtes në Korçë ndaj Skënderbeut kryesues me rezultatin 1-0, ka kthyer entuziasmin në kampin shkodran. Ka ndodhur ajo që pakkush e ka menduar. Në fushën e lojës, kampionia dhe kryesuesja aktuale e kampionatit dukej të ishte Vllaznia dhe jo Skënderbeu. Një ndeshje e dominuar tërësisht nga kuqeblutë për gjatë gjithë 90 minutave të saj. Rastet e pjesës së parë nuk u konkretizuan dot ndonëse djemtë e trajnerit Bushati ishin dukshëm më lart se kundërshtarët e tyre. Në fakt, një paraqitje e tillë kaq e mirë edhe nuk pritej ngaqë tek Vllaznia kishte disa mungesa të rëndësishm. Megjithatë edhe pa 5 lojtarë titullarë të fazës së parë, skuadra shkodrane është shfaqur e tjetërsuar në fushën e lojës. Nuk pamë asnjë ndryshim në mes Seminës dhe T.Osmanit ndonëse ky i fundit paguhej katër e gjysëm më shumë se shkodrani. Nuk pamë ndonjë ndryshim të madh në mes Hysës dhe Gjinit ndonëse ky i fundit paguhet 15 herë më pak se tiranasi. Na befasoi edhe 20 vjeçari Bardulla me performancën e tij në fushë, ashtu si dhe Tafili. Të katër këto futbollistë që përmenda më lart, paguhen të gjithë sëbashku vetëm 20 milionë lekë të vjetra. Hysa ta marrim si shembull, është paguar 42 milionë lekë!!! Pyetja që lind vetëvetiu është: Më mirë ai vetëm apo katër këta të tjerët? Sigurisht që këta të tjerët. Dhe merita e parë këtu shkon për Bushatin. Në Korçë skuadra e drejtuar prej tij, funksionoi mirë. Në pjesën e dytë, ndonëse gjyqtari Enea Jorgji nuk dha një 11-metërsh të pastër për Vllazninë pas pengimit të dukshëm në zonë të Hajdarit nga mbrojtësi i Skënderbeut Vrapi megjithatë loja e saj nuk ka rënë dhe në minutën e 73-të Hajdari shënon një supergol për skuadrën e tij. Pikërisht ky gol do të ishte i vetmi i kësaj ndeshje por me vlera shumë të mëdha për shkodranët. Ata i kanë bërë një nisje të shkëlqyer fazës së dytë të kampionatit duke i shkaktuar humbjen e parë në kampionat skuadrës kryesuese të kampionatit. Por më shumë se kaq, fitorja e mbrëmshme në Korçë ka vlera morali për kuqeblutë duke treguar se në fazën e dytë ata do jenë shumë më ndryshe. Nuk do jenë ajo skuadra e rëndomtë e vendit të tetë e fazës së parë, por një  formacion me shpirt gare dhe fitues, pse jo edhe formacion europian. Vllaznia e drejtuesve të rinj të Çela- Bushati, duket se do jetë një Vllaznia ndryshe dhe kjo ka entuziasmuar edhe tifozët e shumtë të kësaj skuadre.