Vllaznia po kërkon të kompletohet me lojtarët që stafi teknik po kërkon. Dyshja Firat e Jonuzi kanë të tjera afrime në planet e tyre dhe pasi të gjendet akordi financiar me administratorin Suad Lici, mund të bëhet e mundur firmosja e kontratave.
Stafi teknik nuk po shikon vetëm nga pista jashtë vendit. Së fundmi po vijojnë kontaktet edhe me lojtarë të kampionatit shqiptar. Madje që sot pritet të ketë një tjetër afrim pranë kësaj skuadre, por mbahet sekret identiteti se kush do të jetë firma e radhës.
Treshja Firat, Jonuzi e Lici po preferojnë që të jenë hermetikë në këtë drejtim. Mësohet se në fokus janë katër apo pesë lojtarë, ndër ta flitet për dy brazilianë, një afrikan e një tjetër mund të jetë nga Maqedonia. Së fundmi, mësohet se edhe një emër shqiptar mund të hedhë firmën mbi kontratë./panorama-sport/