
Funksionimi aktual. Klubi I futbollit Vllaznia që nga gushti I vitit 2011 funksionon si shoqëri aksionere me kapital 100 për qind të Bashkisë Shkodër. Kjo e fundit, e gjendur ndoshta disi në pozita të vështira pas dorëheqjes së ish- presidentit Valter Fushaj dhe para presionit të FSHF-së për ta shndërruar klubin në një nga tre format që parashikonte ligji, e ktheu atë në sh.a. ideja paraprake ka qenë që shumë shpejt, ajo ta kalonte sërish klubin në duart e biznesit duke shitur një pjesë të aksioneve. Bashkia vlerësoi edhe fushën sportive “Reshit Rusi” si aset të kësaj aksionereje me vlerën 1.9 milionë dollar. Po ashtu, u vlerësua edhe stema dhe historia e klubit në shumën e 630 milionë lekëve të vjetra. Në total, bashkë edhe me paratë e hedhura për klubin dhe të vlerësuara si aksione, shuma totale e vlerës së klubit Vllaznia shkon në 3.3 milionë dollarë. Ideja ka qenë për shitjen e një përqindje të aksioneve por në fakt, asnjëri nga biznesmenët nuk ka qenë I interesuar për këtë gjë. Por duket se zyrtarë të Bashkisë nuk kanë arritur ta hipotekojnë fushën sportive “Reshit Rusi” si aset të sh.a-së dhe prandaj këtu gjërat bëhen më të thjeshta për të ardhmen e aksioneres, shndërrimin e saj në një formë tjetër apo dhe privatizimin vetëm të shërbimit të saj.
E ardhmja e klubit. Në janar të këtij viti, zyrtarë të Bashkisë hodhën idenë e afrimit të biznesit pranë klubit në një formë disi të veçantë. Me një akt- marëveshje, ky institucion nisi bashkëpunimin 30 mujor me biznesmenin Agron Çela I cili merrte përsipër pagesën e 60 % të shpenzimeve të klubit ndërsa Bashkia 40 %. Me kalimin e muajve edhe kjo formë nuk dha frutet e duhura, ndërkohë që pak ditë më parë, presidenti u detyrua të jepte dorëheqjen nga ky post ngaqë nuk ia lejon ligji për shkak të zgjedhjes së tij deputet. Në kushte të tilla, klubi I futbollit Vllaznia rikthehet sërish nën administrimin e plotë të Bashkisë Shkodër. Kjo e fundit duke qenë e pafuqishme nga ana financiare për të ndërtuar një ekip pretendent për titullin kampion, po sheh mundësinë e ofrimit sërish të biznesit pranë klubit. Por me formën e mëparshme, ashtu siç ishte Agron Çela, shumë janë të mendimit se nuk është e favorshme. Për më tepër, që juristë të ndryshëm kanë qenë dhe janë të mendimit se një formë e tillë nuk është ligjore. Atëherë, mundësia më e mirë që biznesi të ofrohet është kthimi I klubit në shoqatë sportive sërish. Në këtë mënyrë ka funksionuar për 13 vite me rradhë dhe klubi gjithmonë ka patur president- donator. Ai e mbështeste nga ana financiare për të rritur nivelin e skuadrës ndërkohë që Bashkia nga ana e saj mbulonte disa shpenzime të tjera. Idenë e kthimit sërish në shoqatë sportive, e mbështet edhe administratori aktual Fatos Gjyrezi. Pro kësaj ideje është edhe ish- presidenti Valter Fushaj. Emri I këtij të fundit po përflitet për të zënë vendin e lënë bosh nga Agron Çela por Fushaj nuk mendon një rikthim me të njëjtat kushte. Duket se kërkesa e tij kryesore është shndërrimi I klubit sërish në shoqatë sportive. Përveç tij, edhe biznesmenë të tjerë janë të gatshëm ta mbështesin një ide të tillë.
Këshilli Bashkiak. Vendimin për një shndërrim të mundshëm të klubit sërish në shoqëri aksionere e ka Këshilli Bashkiak. Ai më parë duhet të miratojë mbylljen e shoqërisë aksionere Vllaznia dhe pasi të ndodhë kjo, atëherë duhet të nisë puna për krijimin e shoqatës. Nëse shumica nuk është dakord për këtë shndërrim, atëherë një tjetër variant është ai I privatizimit vetëm të shërbimit që ofron klubi I futbollit Vllaznia. Pra, privatizimin e veprimtarisë futbollistike të tij ndërsa asetet publike do vazhdojnë të jenë sërish pronë e Bashkisë. Se çfarë do ndodhë, kjo mbetet për t’u parë. E sigurtë është që do kemi të bëjmë me një verë të nxehtë në Shkodër por e rëndësishme është që vjeshta ta gjejë Vllazninë duke funksionuar në mënyrën e duhur.
Gjergj KOLA