Pas kritikave të ashpra të klubit, futbollistët e Vllaznisë kanë premtuar kthesën në rezultate, duke filluar nga Kukësi. Pavarësisht vendimeve të marra nga drejtuesit, tani gjithçka i takon së shkuarës. Gjatë analizës së të martës, “senatorët” e skuadrës, Vujadinoviç, Beqiri, Belisha, por edhe të tjerë i kanë garantuar krerët e klubit se do të kthehen. Madje një gjë të tillë e pranojnë edhe për gazetën, ndonëse nën zë. Sipas kuqebluve, e shkuara duhet lënë pas dhe tani duhet të mendohet vetëm për të ardhmen. “Besojmë dhe shpresojmë se në takimin me Kukësin situata do të ndryshojë në favorin tonë.
Le ta harrojmë atë që shkoi, siç kemi bërë në ditët tona të mira dhe të mendojmë për të ardhmen”, – është shprehur një prej kuqebluve, i cili për shkak të heshtjes së vendosur nga klubi nuk ka preferuar të prononcohet me emër, apo të tregojë se çfarë u diskutua në atë analizë. Gjithsesi futbollistët tani synojnë vetëm fitoren, madje janë të bindur se do kthehen si në ditët e tyre më të mira.
Analiza – Ditën e martë, ekipi shkodran ka bërë një analizë të hollësishme për humbjen e pësuar me Flamurtarin. Përpos kritikave, duhet theksuar se në të nuk kanë munguar edhe notat pozitive, të thëna nga vetë trajneri Agim Canaj. “Nëse ju keni besim te vetja, mund të mposhtni çdo kundërshtar. Unë kam shumë besim te ju”, – kështu u është drejtuar të tijve tekniku, i cili ashtu si lojtarët premton kthesën. Takimet e fundit janë shoqëruar me rezultate negative, ndaj synohet që në sfidën e kësaj fundjave me Kukësin në shtëpi të bëhet autokritikë.
Heshtja – Sa herë që kuqeblutë kanë pasur periudha delikate, si kjo e ditëve të fundit, kanë preferuar që të heshtin, duke e konsideruar median si armikun “imagjinar”, me shpresën që kthesa në rezultate do të vijë. Mirëpo sikundër mund të kuptohet lehtë, problemi qëndron te klubi dhe ekipi. Vetë lojtarët nuk preferojnë të dalin me emra konkretë dhe të zbulojnë atë çka është folur gjatë analizës.
Admir URUÇI
Beqiri dhe Belisha, në dyshim
Elvin Beqiri dhe Amarildo Belisha edhe dje kanë shfaqur probleme me dëmtimet, gjë që i bën ata të jenë në dyshim para ndeshjes së rëndësishme me Kukësin. Kapiteni Beqiri, i cili ka munguar edhe ndaj Flamurtarit, nuk u stërvit as dje me skuadrën, për arsye se nuk mund të mbajë ngarkesa. Belisha gjithashtu ndjen akoma të njëjtin problem, ashtu si një javë më parë. Kjo tregon se të dy lojtarët ende nuk janë në kushtet optimale fizike, kësisoj dilemat para sfidës së javës së 13-të shtohen. Vetëm në fundjavë do mund të merret një vendim për ta. Do të jetë trajneri Canaj ai që do përcaktojë nëse do t’i llogarisë për këtë takim apo jo.
E kaluara me kuksianët, në favor
Janë shumë pak përballjet midis tyre, e kjo pasi Kukësi ka vetëm dy sezone që militon në Superiore. Por në këto tri ndeshje që Vllaznia ka luajtur përballë këtij kundërshtari nuk ka dalë kurrë e humbur, fakt që e favorizon. Veç ndeshjeve në Superiore, edhe në miqësore apo në Kupën e Shqipërisë kuqeblutë nuk njohin asnjë rezultat negativ. Në tri përballjet e zhvilluara mes tyre në elitë, Vllaznia njeh dy fitore, atë të sezonit të kaluar në Shkodër, që u fitua 1-0, dhe atë të marrë gjatë fazës së parë të këtij edicioni në Kukës, me rezultatin 1-3. Ndërsa në javën e dytë të fazës së parë të sezonit të kaluar ekipet u ndanë në barazim pa gola, por në fushën e kuksianëve.
ADMIR URUÇI