Lajmet e ndryshme që qarkullojnë në media apo dhe në opinionin sportiv për afrimin e donatorëve të ndryshëm tek Vllaznia, i kanë çorientuar krejtësisht futbollistët kuqeblu. Shumë prej tyre ndihen pezull për fatin e tyre duke nisur nga ajo çfarë dëgjojnë se do vijë ky apo ai president, do mbajë vetëm 5 apo 6 lojtarë nga këto që janë aktualisht në skuadër etj, etj. Ai që e pohon shqetësimin e futbollistëve është zëvendëstrajneri i Vllaznisë Samuel Nikaj, i cili është në stërvitje çdo ditë me to dhe e ka konstatuar këtë gjë. “Sigurisht që futbollistët ndihen disi të shqetësuar. Ata janë profesionistë dhe duan të dinë për fatin e tyre. Tek Vllaznia apo jo, kjo çështje duhet të marrë zgjidhje sa më shpejt sepse secili prej futbollistëve dëshiron ta ndajë mendjen për sezonin e ardhshëm sa më parë. Dhe jo vetëm për këtë. Puna e drejtimit të klubit duhet zgjidhur sa më parë për të filluar punë sa më shpejt për të ndërtuar një skuadër ndryshe nga ajo e sezonit që sapo lamë pas”- ka thënë ai. Nikaj dhe 20 futbollistë janë sërish në stërvitje edhe gjatë këtyre ditëve dhe ky proces do të vazhdojë deri në fund të muajit, madje me shumë të ngjarë deri në fillimin e Kampionatit Botëror dhe më pas, ata do të marrin pushimet deri në fundin e muajit korrik. Deri atëherë shumë gjëra do të kenë marrë rrugën e zgjidhjes tek skuadra shkodrane.
© shkodrasport.com