Përballja e sotme në mes Vllaznisë dhe Luftëtarit që do të nisë në orën 14.00 në stadiumin “Loro Boriçi” pritet me interes nga të dy ekipet. Fakti që ato ndodhen në kuotë të njëjtë pikësh- 9, e bën edhe më të domosdoshme fitoren në mënyrë që të lënë pas njëra- tjetrën në vendin e parafundit në renditje. Po kush është arbitri që do të vendosë drejtësi në këtë takim? FSHF ka zbardhur edhe emrin e tij dhe po ashtu edhe të ndihmësave dhe të delegatit për këtë takim. Arbitri kryesor është Olsi Sokoli nga kryeqyteti.
Ndërkohë ndihmësa të tij do të jenë dy tiranasit e tjerë Denis Agaraj dhe Redvan Shaba. Sakaq, arbitër i katërt është Juxhin Xhaja por nga ky qytet. Ndërkohë delegat i Federatës Shqiptare të Futbollit në “Loro Boriçi” për këtë ndeshje është caktuar Astrit Maçi. Natyrisht që ajo çfarë pritet nga kjo përballje është një lojë e bukur nga të dy ekipet dhe padyshim edhe një arbitrim korrekt. Këta të fundit po sjellin jo pak polemika këtë sezon (edhe dje në Flamurtari- Teuta) pati jo pak zhurmë) megjithatë në Shkodër nuk kanë patur probleme. Pjestarët e Vllaznisë më shumë janë munduar ta gjejnë tek vetvetja gabimin për gjendjen aktuale në renditje sesa tek arbitrat.
© shkodrasport.com