Vllaznia po lufton për të mos rënë nga Kategoria Superiore. Momentalisht, kuqeblutë janë në një moment mjaft të vështirë, pasi ndodhen në vendin e 9-të me pikë të barabarta me Teutën (33).

Kamza e vendit të 8-të ndodhet 4 pikë larg, pasi fitoi në ndeshjen e fundit me Lushnjen me rezultatin 2-1.

Shkodranët kanë statistikat më të këqija, prandaj ndodhen poshtë Teutës. Në kushte të tilla, takimi kundër Laçit merr një rëndësi jetike për skuadrën e trajnerit Ernest Gjoka.

Fitorja është detyrim, pasi një humbje tjetër do të ishte dramë, pasi do të komplikonte pafund situatën e Vllaznisë në fund të renditjes.

Eduasportin.com zbulon me burime brenda klubit shkodran se disa nga lojtarët po mendojnë dhe për karrierën e tyre pas përfundimit të sezonit.

Disa do të largohen për më mirë, e disa do të vazhdojnë të jenë pjesë e klubit, por nuk dihet nëse do të jenë në Superiore, apo në Kategorinë e Parë.

Emri i par q mund të largohet nga ekipi shkodran është afrikani Nureedin Orelesi. Mesfushori u afrua si një emër i rëndësishëm dhe u pagua mjaft mirë.

Ai është lojtari më i paguar i Vllaznisë, pasi merr 5 mijë euro në muaj. Afrikani do të largohet në fund të kampionatin nga skuadra e trajnerit Ernest Gjoka.

Atij i mbaron dhe kontrata dhe nuk ka ende bisedime për rinovimin e saj.

Në fakt, 29-vjeçari kërkoi largimin nga skuadra e Vllaznisë që në janar. Nigeriani nuk kaloi momente shumë të mira te skuadra kuqeblu, pasi u afrua për mesfushor dhe gjysmën e sezonit luajti si titullar në qendër të mbrojtjes, pasi ekipi nuk kishte kontingjentin e duhur.

Lojtari ka luajtur 28 ndeshje si titullar me ekipin shkodran dhe është një ndër emrat më stabël në formacionin e trajnerit Ernest Gjoka.

Orelesi u afrua nga skuadra e Skënderbeut në verë dhe ishte investim i madh për ekipin e Vllaznisë. /EDS