Dinamo ka humbur diçka nga forca e saj në ndeshjet e fundit dhe rrjedhimisht ka humbur mundësitë për të konsoliduar pozicionin e saj në vend të 4-t. Duket një “dashuri e komplikuar” kjo mes bluve dhe vendit të fundit që të çon në “Final 4”, pasi disa herë kanë qenë bashkë kohët e fundit dhe janë ndarë. Aktualisht Dinamo qëndron në këtë vend falë rezultateve më të mira në ndeshjet direkt me Skënderbeun, ndërkohë që një “nder” e ka marrë nga Partizani, që mundi Tiranën në derbi.
Kundër Laçit Dinamo shpërdoroi një “bonus” të mirë për t’u shkëputur nga dy rivalët përpara një kalendari mjaft të vështirë në tri javët e mbetura të kampionatit. Presidenti Adrian Bardhi nuk e ka fshehur zhgënjimin për paraqitjen dhe rezultatet e skuadrës në dy ndeshjet e fundit. Nëse pretendon vërtet të shkojë në “Final 4”, Dinamo duhet të reagojë menjëherë për ta pasur në duart e saj fatin e të qenit në garën e titullit, ku sigurisht nuk do të shkonte formalisht.
VLLAZNIA – Përpara është transferta me Vllazninë, një “mace e zezë” për Dinamon këtë sezon. Në 3 ndeshjet e mëparshme shkodranët kanë marrë 7 pikë, kurse blutë vetëm 1 pikë. Edhe kur ky kundërshtar nuk ka qenë në ditë të mirë, sërish ka marrë pikë ndaj skuadrës së Mehmetit, që duhet të thyejë një “tabu” të shtunën. Tani situata është akoma më e vështirë, pasi Vllaznia synon të shkojë në “Final 4” si një nga dy skuadrat kryesuese, kështu që i duhen pikë.
Por Dinamos nuk i falet një hap i tretë radhazi i gabuar, pavarësisht vështirësive që paraqet sfida. Kryeqytetasit së pari duhet të shmangin humbjen në “Loro Boriçi”, ndërsa fitorja do të ishte reagimi i duhur. Fazën e dytë ishin të parët që shënuan me Denison, por më pas pësuan 3 gola dhe dolën të mundur. Kalendari i tri javëve të fundit në raport me rivalët është gati i njëjtë dhe për Dinamon është momenti të tregojë se vërtet ka vlera për të shkuar në “Final 4”.
GOLI – Në dy ndeshjet e fundit Dinamos i ka munguar goli. Diçka e pazakontë kjo për skuadrën blu, që ka shënuar gati sistematikisht, edhe kur nuk ka mundur të fitojë. Në Shkodër Dinamo ka misionin të rigjejë golin dhe të marrë pikë për të ruajtur vendin e 4-t.