
E pësoi Teuta tre javë më parë teksa u mund Brenda në “Niko Dovana” që prej atij momenti nuk e ka parë më vendin e parë të renditjes. Por Vllaznia nuk është “macja e zezë” vetëm për këtë skuadër. Ishte edhe në ndeshjen e së hënës me Tiranën kur pas barazimit 0-0 me këtë skuadër, bëri që edhe ajo ta lëshonte vendin e parë. Duke I bërë indirekt “nder” Skënderbeut por në të nuk ka ndodhur kështu. Vllaznia ka luajtur për veten e saj sepse ajo nuk është pjesë e asnjë aleance. E ka thënë këtë trajneri Vata në konferencën për shtyp të pasndeshjes, e kanë përsëritur edhe drejtues të klubit dje. Por shkodranët do të luajnë fort edhe këtë javë ndaj Flamurtarit, edhe pas disa javësh në Korçë ndaj Skënderbeut. Vetë ata e kanë “çuar dëm” këtë sezon por duket se po “ua bëjnë jetën të vështirë” të gjithë pretendentëve. Por Vllaznia mbi të gjitha po luan për vete. Me barazimin ndaj Tiranës, kjo skuadër tregoi karakter. Ajo edhe mund ta kishte humbur atë ndeshje. Edhe mund ta kishte fituar. E rëndësishme për gjithë drejtuesit e klubit është se futbollistët treguan shpirt gare në këtë takim. Duke lënë pas njëherë e mirë dy përballjet aspak të mira të bëra ndaj Kastriotit dhe Flamurtarit ku nuk pati as lojë dhe as rezultat. Duke qenë kështu, shumëkush mendoi se në rast humbje edhe me Tiranën, çka do ishte e katërta rradhazi për Vllazninë, pasojat për këtë skuadër do ishin të mëdha. Pikërisht për këtë duhet vlerësuar së tepërmi ky barazim. Jo se kuqeblutë zhvilluan një ndeshje perfekte por kanë nxjerrë një 90 minutësh shumë të pranishëm. Shumë positive edhe disa lëvizje të trajnerit Vata teksa rikthimi pas 3 muajsh në formacion I mbrojtësit malazez Petroviç, ishte një goditje e bukur. Ashtu si dhe largimi nga formacioni I Morenos dhe rikthimi në pozicionin e zakonshëm, atë të mesfushorit shkatërrues të kapitenit Belisha. Edhe aktivizimi I mbrojtësit Sykaj para mbrojtjes me detyra të qarta për t’I prishur lojën Klodian Duros, ka qenë një tjetër variant I menduar shumë mirë nga ana e trajnerit. Përveç gjithë këtyre gjërave, edhe luajtja me dy sulmues në këtë takim kaq delikat, ka qenë një guxim jo I vogël për stafin drejtues të Vllaznisë, çka tregon se ata nuk e kanë menduar asnjëherë veten inferiorë në fushë pavarësisht se luanin me skuadrën e vendit të parë të renditjes. Nga ana tjetër, edhe guximi për të aktivizuar në sulm 18 vjeçarin Guri në pjesën e dytë, nuk ka qenë pak. Një lojtar shumë simpatik që tregoi vlera jashtëzakonisht të mira në fushën e lojës. Sigurisht që duke luajtur rregullisht, ky lojtar mund të fitohet shumë shpejt për të ardhmen. Mbase ky duhet të jetë prioritet I klubit shkodran në këtë periudhë, paçka se vetë drejtuesit e tij nuk e mendojnë Vllazninë në një pozicion komod në renditje. Ata kanë frikë nga euforia që mund të kapë futbollistët sepse skuadra gjatë këtij sezoni ka treguar jo pak oshilacione. E tregoi këtë edhe pak javë më parë teksa pas dy barazimeve me Skënderbeun për kupë, erdhën humbjet dhe ndeshjet shumë të dobëta ndaj krutanëve dhe vlonjatëve. Vllaznia aktualisht ndodhet 6 pikë larg vendit të pestë në renditje dhe po kaq larg vendit të 10-të që luan në playout. Për këtë arsye, ajo duhet të bëjë mirë në të gjitha ndeshjet e mbetura sepse në rast të kundërt, paniku mund të kthehet sërish.
Gjergj KOLA