Tek Vllaznia mbërrijnë sërish lojtarë për provë. Pasditen e sotme, të pranishëm para trajnerit Cungu kanë qenë edhe dy futbollistë të rinj. Bëhet fjalë për mesfushorin Darko Markoviç dhe portierin Nikola Delibashiç. Ata kanë zhvilluar seancën e parë me kuqeblutë dhe në ditët në vijim do të vendoset edhe për fatin e tyre ashtu siç është vendosur edhe për të tjerët më parë. Në fakt deri më tani kanë ardhur shumë lojtarë për provë dhe të vetmit që vazhdojnë të jenë prezent janë portieri malazez Agoviç dhe sulmuesi serb Rakiç që ka munguar në seancën e sotme por do të rikthehet sërish të mërkurën në Shkodër. Të tjerët janë larguar të gjithë ndërkohë që tashmë duhet parë edhe e ardhmja e dy futbollistëve që kanë mbërritur ditën e sotme.

Markoviç është një lojtar i njohur në vendin fqinj sepse ka qenë kapiten i ekipit Zeta. Luan në pozicionin e mesfushorit sulmues, vend për të cilin Vllaznia ka nevojë për përforcim. Karriera e këtij futbollisti 29 vjeçar duket e pasur megjithatë tashmë duhet pritur nëse do ta bindë apo jo stafin teknik të ekipit shkodran. Po ashtu edhe portieri Delibashiç ka luajtur me disa ekipe dhe tashmë duket se do të jetë në konkurrencë me bashkëkombasin e tij Agoviç i cili ka qenë i vetmi që ka bindur stafin e Vllaznisë dhe duket shumë pranë firmës megjithatë duhet pritur edhe pak ditë. Skuadra shkodrane në fakt gjatë këtyre dy javëve më shumë i ka kushtuar rëndësi provës së futbollistëve të ardhur me shpresën se do të ketë ndonjë cilësor por prurjet kanë qenë të një niveli shumë të dobët. Megjithatë ka ende shpresa se në ditët në vijim gjërat mund të ndryshojnë. Markoviç mund të jetë ndoshta një afrim i rëndësishëm por duhet pritur edhe pak, ashtu siç mund të thuhet edhe për sulmuesin Rakiç.

© shkodrasport.com