Vllaznia nuk do ta kalojë pa një analizë të hollësishme takimin e humbur në Vlorë me Flamurtarin. Ashtu si gjithnjë, drejtuesit e klubit do të shohin me DVD edhe njëherë ndeshjen dhe do të vënë në dukje gabimet e bëra, që i çuan shkodranët drejt humbjes. Në një analizë të tillë, pas takimit të fundit të fazës së parë me Besën, krerët kuqeblu kanë vënë edhe gjobat e para për këtë sezon. Drejtori sportiv i Vllaznisë, Armir Grima, si dhe anëtari i bordit drejtues të shoqërisë aksionare “Vllaznia”, Eugen Vaso, e kanë penalizuar skuadrën me nga një gjysmë rroge mujore, por një gjë e tillë nuk duket se ka dhënë fryte për takimin me Flamurtarin.

Nisur nga kjo, drejtuesit e klubit dhe ato të ekipit do të ndalen përsëri në një analizë të hollësishme, vetëm se kësaj here nuk pritet të ketë ndëshkime financiare për lojtarët e ekipit të tyre. Ndonëse ajo çka pritet është që, kësaj radhe të ndalen në emra konkretë të atyre që gabuan. Kritikat – Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, në mënyrë indirekte, përsëri ka shigjetuar mbrojtjen për gabimet e bëra në rastin e golave të dytë dhe të tretë. Mbase këtu do të ndalen edhe më konkretisht drejtuesit e klubit kuqeblu. Ndonëse pa u lagur duket se nuk do t’ia hedhin as lojtarët e repartit të mesfushës. Janë pikërisht lojtarët e këtij reparti që kanë gabuar jo pak para portës vlonjate. Tashmë, situata në kampin shkodran nuk është ajo e javëve të para të këtij sezoni. Madje, pas barazimit me ballshiotët dhe dy humbjeve me Besën e Flamurtarin, tani Vllaznia po rrezikon shumë. Post takimi – Post-takimi ka kaluar pa shumë debate në kampin shkodran. Lojtarë dhe persona të tjerë të pranishëm në dhomat e zhveshjes të kuqebluve kanë theksuar se të gjithë janë larguar pa replikuar sa i përket kësaj humbjeje. Madje edhe gjatë kthimit për në Shkodër fjalët kanë qenë të pakta. Një humbje që i ka ndikuar jo pak në anën financiare ekipit, pasi nga sa mësohet ishte vendosur një premio e majme në rast fitoreje.
Admir Uruçi