Nesër pasdite Vllaznia e basketbollit të meshkujve do të luajë në Tiranë ndeshjen e rradhës për kampionat, atë ndaj Barleti Eagles. Ky është takimi i parë i fazës së dytë të kampionatit dhe padyshim që shkodranët do të tentojnë fitoren për të lënë mënjanë kësisoj dy humbjet e fundit të pësuara ndaj Teutës dhe Goga Basket.
Interesant është fakti se në takimin e nesërm, tek Vllaznia pritet të debutojnë edhe tre lojtarë të tjerë të rinj. Bëhet fjalë sërish për lojtarë të huaj të cilët janë sjellë në ekip nga ana e presidentit Xhaferi me qëllimin e vetëm për ta forcuar atë ngaqë është konstatuar se ka nevojë sërish për përforcime.
Lojtarët që kanë firmosur së fundmi me Vllazninë janë amerikanët Yavlen Babb Harrison dhe Devonte Thomas si dhe boshnjaku Amar Barukçija. Dokumentacioni i tyre nga ekipet e mëparshme thuhet të ketë ardhur tashmë në Federatën Shqiptare të Basketbollit dhe ato do munden të luajnë në takimin e rradhës.
Bashkë edhe me këta tre basketbollistë, numri i lojtarëve të huaj që janë aktualisht pjesë e Vllaznisë shkon në shtatë, bashkë me amerikanët e tjerë, Evans, Voss, Perine dhe Hudson.
Një numër i madh ndoshta të huajsh, por stafi teknik ka dashur të ketë një organikë sa më të madhe në dispozicion ngaqë Vllaznia siç dihet luan edhe në Ligën Ballkanike.
© shkodrasport.com