Ndryshe nga fjalët e përhapura gjatë gjithë javës në Shkodër, Vllaznia jo vetëm që nuk ia ka lënë ndeshjen Teutës por e ka mundur paq. Dy golat e Dritan Smajlit, ndonëse kanë ardhur përmes pikës së 11-metërshit, natyrisht që nuk kanë qenë dhuratë e gjyqtarit Pashaj. Përkundrazi, mund të themi se durrsakët u falën prej tij ngaqë portieri Rizvani në rastin e 11-metërshit të dytë duhej të kishte dalë me karton të kuq. Ndeshja në fakt nuk ka nisur mirë për kuqeblutë. Ata luajnë në mënyrë krejt pasive në fushë, duke të krijuar bindjen se do ishin të kënaqur edhe me një barazim. Megjithatë fundi i pjesës së parë do dhuronte tjetër histori. Fillimisht është Shtubina që “fal” durrsakët”, më pas vjen pengimi i tij në zonë dhe gjyqtari jep 11-metërsh. Smajli është i saktë duke kaluar Vllazninë në avantazh në minutën e 41-të. Vetëm 4 minuta më vonë është Rexha që pengohet në mënyrë të parregull brenda zone dhe Pashaj sërish tregon pikën e bardhë. Përsëri mbrojtësi lezhjan është i saktë duke shënuar për të dytën herë. Pjesa e parë mbyllet 2-0 për vendasit dhe në fakt ky rezultat nuk do të ndryshonte deri në fund të takimit. Gjatë pjesës së dytë, Vllaznia në fakt duhej të kishte shënuar minimuni edhe tre herë të tjera me rastet që iu paraqitën Rexhës, Shtubinës dhe Gjinit por ata kanë gabuar. Gjithsesi, fitorja e sotme kishte shumë rëndësi në vetvete sepse përveçse ngjiti skuadrën shkodrane në renditje, i dha asaj edhe më shumë respekt në sytë e skuadrave të tjera të kampionatit shqiptar. Vllaznia është ngjitur në kuotën e 35 pikëve duke parakaluar Tiranën dhe Bylisin. Ndërkohë lufta për vendin e dytë ndizet ethshëm tashmë, me tri skuadra shumë pranë njëra-tjetrës. Kukësi ka vetëm 1 pikë më tepër se Flamurtari dhe Teuta, ndërsa kanë mbetur në lojë edhe 12 pikë deri në fund të kampionatit. Llogaritë duhen bërë me laps të hollë në vazhdim, sepse me shumë gjasa do të thirren në ndihmë edhe aleancat jashtë kuadratit të blertë, përvec asaj që mund të japin vetë pretendentët për zonën europiane në fushën e lojës. Kjo do të thotë se ka ende vend për rrokada e ndryshime pozicionesh, prandaj vetëm konsumimi i katër javëve të mbetura do të zbardhin gjithcka në këtë drejtim. Pse jo edhe për Vllazninë për të pretenduar deri në fund për një tjetër ngjitje në renditje.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)