Vllaznia pret sot, në orën 19:30, Dinamon. Në sfidën e vlefshme për javën e 16-të të Superiores, shkodranët do të kërkojnë rikthimin te fitorja pas humbjes në Ballsh disa ditë më parë.
Kuqeblutë vijnë me disa ndryshime të detyruara në këtë 90- minutësh, më shumë në repartin e mbrojtjes, ku për shkak dëmtimesh nuk do të jenë të disponueshëm Gurishta dhe Stojanoviç. Vendin e tyre pritet ta marrin Sala në të djathtë dhe Bajrami në qendër. Po ashtu pritet të mungojë edhe sulmuesi Gruda, i cili në seancën e djeshme ka ndjerë shqetësime.
Krymi, ashtu siç pohoi edhe trajneri Brdariç në konferencë shtypi, do të jetë me skuadrën i grumbulluar, por nuk është gati për t’u aktivizuar me minuta të plota. Në këto kushte, formacioni nis me të zakonshmin Qarri në portë. Përpara tij do të aktivizohen Sala djathtas, Bajrami dhe Juriç në qendër dhe braziliani Yago majtas.
Mesfusha nuk pëson ndryshime, me Deliun që kthehet në pozicionin para mbrojtjes, ndërsa Qato dhe Kahrimanoviç do të plotësojnë repartin. Edhe në sulm nuk ndryshon asgjë trajneri Brdariç nga ndeshjet e fundit, duke i besuar treshes së përbërë nga Mala, Balaj dhe Dodaj.