Tek skuadra kuqeblu e kanë lënë tashmë pas kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë dhe i gjithë fokusi është i përqendruar tek ndeshja e nesërme për kampionat ndaj Laçit. Luhet në transfertë, ndaj një skuadre që i ka krijuar shumë vështirësi në sfidat e viteve të kaluara dhe si rrjedhojë konsiderohet një 90 minutësh i rëndësishëm.

Vllaznia do të udhëtojë për këtë sfidë pa katër prej lojtarëve të saj, të cilët mungojnë për arsye dëmtimesh. Bëhet fjalë për portierin Qarri, mbrojtësit Repaj e Spahija si dhe për mesfushorin Kahrimanoviç.

Ky i fundit ka pësuar dy javë më parë një dëmtimi në kavilje dhe si rrjedhojë ende nuk është rikuperuar plotësisht dhe prandaj do të mungojë edhe në Laç. Po ashtu, portieri Qarri vërtetë ka dalë në stërvitje, por me siguri që i duhen edhe të paktën 2-3 javë që të kapë formën e tij më të mirë.

E njëjta situatë edhe për Repajn dhe Spahijën. Dy mbrojtësit i kanë lënë pas dëmtimet që kanë patur, por nuk janë akoma gati për të luajtur. Me këto mungesa, kuptohet që kontigjenti i lojtarëve në dispozicion të stafit teknik është disi më i reduktuar, por kjo nuk përbën problem sepse ka të tjerë që do të luajnë dhe me to, Vllaznia do të tentojë fitoren ndaj kurbinasve.(www.shkodrasport.com)