Vllaznia ka nisur dje përgatitjet për ndeshjen e radhës kundër Laçit. Kjo fundjavë është pushim për shkak të angazhimeve të Kombëtares dhe kuqeblutë bënë pak ditë pushim pas ndeshjes me Elbasanin. Grupi nuk ishte i plotë në seancën e djeshme për trajnerin Brdariç, pasi disa lojtarë, mes tyre dhe Balaj, kanë marrë disa ditë pushim më shumë.

Dodaj ndërkohë është i grumbulluar me Shqipërinë U-21, ndërsa disa elementë të tjerë kanë luajtur me Vllazninë U-21 kundër Erzenit. Për transfertën e Laçit shkodranët duhet t’i bëjnë llogaritë me 5 mungesa. Kjo sepse ende nuk janë rikuperuar totalisht nga dëmtimet futbollistët Ardit Deliu dhe Ildi Gruda.

Të dy ata janë në fazën e rikuperimit, por ende nuk janë të gatshëm për të qenë në dispozicion të stafit teknik dhe të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre në fushën e lojës.

Kundër Elbasanit pësoi një dëmtim edhe sulmuesi Matouti, i cili ka nxjerrë shpatullën dhe do të qëndrojë të paktën një muaj jashtë fushave dhe ndoshta edhe më shumë sepse kjo varet nga koha e rikuperimit të tij.

Të skualifikuar për shkak kartonësh janë dy mbrojtësit titullarë Erdenis Gurishta dhe Milosh Stojanoviç. Ata kanë plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë dhe trajneri Brdariç duhet të ribëjë mbrojtjen. Por pavarësisht këtyre mungesave, Vllaznia është e vendosur për të synuar fitoren në ndeshjen e rradhës ndaj Laçit.