Ka shkuar mbarë për boksierët e Vllaznisë edhe dita e dytë e finaleve të kampionatit të 22-kombëtar të boksit që po zhvillohet në Vlorë. Pas fitoreve të katër ndeshjeve në ditën e parë, kanë ardhur po kaq edhe sot dhe tashmë janë përcaktuar edhe çiftet finaliste të këtij kampionati. Në këtë mënyrë, Vllaznia ka arritur të nxjerrë plot 8 sportistë në finale, më shumë se çdo ekip tjetër dhe është pretendentja kryesore për të fituar titullin kampion. Titull ky që do të ishte i 19-ti për të në 22 kampionatet e zhvilluara pas viteve ’90 në vendin tonë kur dhe rifilloi ky sport. Sipas informacioneve që na jep zëvendëstrajneri i këtij ekipi Jozef Sermi dita e sotme ka qenë e mirë për boksierët Ronildo Piranej, Asmer Bilali, Rexhildo Zeneli, Syrjan Marinaj ndërsa nuk ka qenë e tillë për Kristian Shytanin që ka humbur me një boksier të Flamurtarit atëherë kur nuk pritej. Megjithatë, edhe pa Shytanin dhe Vjerdhën të eliminuar në ditën e parë, ekipi shkodran në finalet e nesërme do të konkurrojë me plot 8 sportistë dhe konkretisht ato janë:
49 kg Vuksan Guri
52 kg Ardit Ago
56 kg Ronildo Piranej
50 kg Rexhildo Zeneli
69 kg Asmer Bilali
81 kg Syrjan Marinaj
91 kg Emanuel Kaçaj
+91 kg Nelson Hysa
Rivali kryesor do të jetë ekipi i Tiranës që ka arritur të nxjerrë 7 boksierë në finale. Ndeshjet e ditës së tretë dhe të fundit të këtij kampionati zhvillohen të shtunën në orën 11.00 në pallatin e sportit të qytetit të Vlorës.
Gjergj KOLA