Vllaznia do të zbresë me gjithë artilerinë e rëndë në fushën e stadiumit “Loro Boriçi”, për të luajtur ndeshjen e parë me Universitatea Kraiovën. Normalisht, gjatë kësaj periudhe, me grupin janë përgatitur që të gjithë futbollistët.

Me 24-25 futbollistë që kanë zbritur kuqeblutë në seancat e fundit, trajneri Mirel Josa është i predispozuar që të mos bëjë ndryshime dhe lëvizje të shumta në formacion. Tekniku kryeqytetas nuk është i limituar në zgjedhje dhe kjo duhet pranuar.

Vllaznia e pret Kraiovën me luksin që fillimisht do të luajë në fushën e saj dhe gjasat janë që shkodranët të ndjekin një taktikë, siç është duke u mbrojtur mirë dhe duke përfituar nga hapësirat që do të lënë rumunët, teksa kuqeblutë në këtë ndeshje në “Loro Boriçi”, janë të detyruar të luajnë në sulm dhe të kërkojnë golin sa më shpejt.

Mbrojtja dha sinjale pozitive gjatë fazës përgatitore në Austri, teksa në ndeshjen ndaj Kraiovës, pritet që reparti i prapavijës, t’u bëjë ballë sulmeve të rumunëve. Pjesa e “kurthit” që pritet të funksionojë te Vllaznia, ka të bëjë kryesisht edhe me kundërsulmin e shpejtë, ku kësaj rradhe pritshmëritë janë te Aralica, shpërthimet e të cilit janë më shumë se kurrë të nevojshme.

Barrë të madhe në këtë takim, do të ketë edhe për treshen e mesfushës, ku Boshnjaku, Jonuzi dhe Marku, nëse nuk bëhet ndonjë modifikim në minutat e fundit, kanë për detyrë që të bëhen barriera e parë për sulmet e rumunëve dhe t’i japin gjeometri fazës sulmuesve të kuqebluve ndaj Kraiovës.

Në fakt, gjasat janë që Vllaznia ndaj Kraiovës, të jetë sulmuese, teksa pritet të luajnë me skemën 4-3-3. Kështu, në portë do të jetë Zogoviç. Më pas, për të vijuar me kapitenin Gurishta, Juriç, Bulatoviç dhe Hakajn. Në mesfushë mund të jetë treshja, Jonuzi, Boshnjaku dhe Marku.

Ndërkohë që, në mbështetje të Aralicës në krye të sulmit, pritet të jenë Vulaj dhe Latifi nga krahët, me këtë të fundit që është akoma në pikëpyetje për aktivizimin e tij si titullar. Një mundësi aktivizimi është edhe mesfushori Elvedin Heriç, në vendin e njërit prej mesfushorëve.

Megjithatë, kjo duhet parë sërish në vazhdimësi në seancat stërvitore të Vllaznisë në ditët e ardhshme nën drejtimin e trajnerit Mirel Josa.
Maringlen ZHIVANI