Vllaznia do të rikthehet në aksion shumë shpejt, ditën e martë do të luajë “aktin” e dytë përballë Elbasanit brenda pak ditësh. Këto dy skuadra do të ndeshen sërish në “Loro Boriçi” për çerekfinalen e kthimit të Kupës së Shqipërisë, pas barazimit 0-0 në 90- minutëshin e parë të luajtur në Elbasan.

Gjithçka është e hapur në këtë rast, por shkodranët, përveç avantazhit të fushës, kanë edhe shifrat e sezoneve të fundit në favor të tyre. Të paktën sa u takon 4 edicioneve të fundit të Kupës së Shqipërisë, Vllaznia ka arritur të kualifikohet gjithmonë në turin gjysmëfinal. Ky është një ogur i mirë edhe për sfidën e së martës, por vlen të theksohet edhe fakti se Elbasani është shumë i fortë, siç u pa edhe në kampionat.

SHIFRAT – Sezonin 2020- 2021 kuqeblutë kalonin në çerekfinale të Kupës një kundërshtar si Korabi. Kualifikimi vendosej me një takim dhe Vllaznia fitonte 1-0 me gol të Krujës. Në sezonin 2021-2022 ishte Flamurtari kundërshtari i Vllaznisë, që fitonte në Vlorë 1- 2, me dy gola të Mustadanagiç. Boshnjaku ishte protagonist edhe në ndeshjen e kthimit, ku me golin e tij do t’i jepte fitoren 1-0 Vllaznisë në Shkodër. Edhe në edicionin 2022-2023 Vllaznia e pa veten në gjysmëfinale, pasi eliminoi Partizanin në çerekfinale.

Ndeshja e parë në Shkodër përfundoi 3-1, me një dopietë të Kainas dhe golin e Çobës. Për Partizanin ishte e pamjaftueshme fitorja 1-0 në Tiranë. Edicionin e shkuar kuqeblutë do të kalonin jo pa vështirësi në gjysmëfinale të Kupës, kësaj radhe ndaj Erzenit. Shijakasit fituan 2-1 ndeshjen e parë në shtëpi, ku për shkodranët realizonte Smajli. Në kthim, 90 minutat e rregullta do të përfundonin po ashtu 2-1, me gola të Balajt dhe Malës. U deshën 30 minutat shtesë për të caktuar ekipin që kualifikohej, me Vllazninë që do të dominonte. Tripleta e Gomes dhe po ashtu një gol tjetër i Balajt i çuan shifrat në 6-1.

AMBICIA PËR TROFE – Shkodranët do të tentojnë edhe këtë sezon jo thjesht kalimin në gjysmëfinale, por ta fitojnë trofeun e Shqipërisë. Për të mbajtur gjallë ambiciet në këtë kompeticion, Vllaznia duhet të fitojë të martën ndaj Elbasanit, ndërsa barazimi do ta çonte gjithçka në shtesë apo te penalltitë. Sigurisht, skuadra e Brdariç do të përpiqet ta zgjidhë gjithçka brenda 90 minutave për të mos shpenzuar shumë energji, duke ditur që ndeshjet janë shumë të dendura në këtë periudhë dhe objektivat janë maksimalë edhe për kampionatin.