Problemet për stafin teknik dhe atë mjekësor të Vllaznisë vazhdojnë. Lojtarët e dëmtuar tashmë janë disa dhe po bëhet çmos që të rikuperohen sa më shumë të jetë e mundur në mënyrë që të jenë të gatshëm për të luajtur ditën e dielë ndaj Luftëtarit. Kjo ndeshje vjen pas takimit të dy ditëve më parë ndaj lagunarëve të drejtuar nga shkodrani Hysen Dedja. Fitorja me Lushnjen ishte detyrim për Vllazninë dhe u arrit, por e njëjta situatë edhe për ndeshjen e radhës, atë me Luftëtarin që luhet në shtëpi.

Me gjirokastritët vjet në “Loro Boriçi” historia nuk është shumë e mirë, ndaj në Shkodër vlerësimi për këtë ekip është i madh. Trajneri Gjoka së bashku me ekipin po punojnë për ta fituar edhe këtë ndeshje, teksa ka edhe ndonjë shqetësim. Në ndeshjen me Lushnjen munguan dy titullarë, Ardit Krymi dhe Denis Pjeshka, të cilët pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, nuk kanë arritur të rikuperohen as për këtë ndeshje. Ndërkohë edhe për Gocajn e Hasanin ka pasur shqetësime në takimin e fundit megjithatë ata pritet të luajnë edhe të dielën dhe në njëfarë mënyre ky është njëfarë lehtësimi për trajnerin Gjoka në këtë pragndeshje.
© shkodrasport.com