Vllaznia do luajë në ndeshjen e rradhës kundër Kukësit. Takim i vlefshëm për javën e 6-të të kampionatit shqiptar. Një fakt që mund të gëzojë trajnerin Brdaric përveç rezultateve pozitive të skuadrës në këto javë është se Vllaznia duket se do ketë grupin e plotë për përballjen e fundjavës.

Da Silva dhe Bulatovic duket se tashmë kanë lënë pas dëmtimet. Nëse për brazilianin mund të ketë edhe minuta, për mbrojtësin malazez duket se nuk do nxitohen për një aktivizim të mundshëm. Por, pozitiv është fakti se të dy futbollistët do jenë të gatshëm për javët në vijim.

Po ashtu një rikthim i rëndësishëm për skuadrën është edhe Mevlan Adili. Qendërmbrojtësi kthehet për takimin me Kukësin pas kartonit të kuq që mori në ndeshjen kundër Skënderbeut, gjë që bëri që ai të mungonte në ndeshjen e fundit kundër Dinamos.

Grupi duket më i plotë se asnjëherë në këtë sezon. Ku tashmë edhe alternativat janë më të shumta për Brdaric dhe stafin e tij. Ndeshja me Kukësin parashikohet e vështirë dhe të kesh sa më shumë opsione lojtarësh patjetër që është pozitive për çdo skuadër.
Endri ÇINARI