Për ndeshjen e rradhës ndaj Tomorit, skuadra shkodrane do të jetë e plotë në përbërjen e saj. Kuptohet me kontigjentin aktual sepse futbollistë të tillë si Hasani dhe Bardulla, i kanë dhënë fund sezonit me dëmtimet që kanë patur. Pjesa tjetër e skuadrës është e plotë, madje duke përfshirë këtu edhe malazezin Popoviç që duket se e ka lënë pas dëmtimin që e ka shqetësuar prej tre javësh. Edhe kapiteni Belisha i ka kaluar problemet shëndetësore që ka patur ndërsa Hajdari e Sykaj rikthehen nga pezullimet me kartona. Edhe tre futbollistët malazez që u lanë pushim nga ana e trajnerit Grima për ndeshjen me Skënderbeun, tashmë janë të gatshëm. E kemi fjalën për Petroviç, Brnoviç dhe Jabllan. Në këtë mënyrë, tashmë është në dorën e stafit drejtues për të vendosur se cilët futbollistë do hedhë në fushën e lojës. Sigurisht që ndeshja me Tomorin konsiderohet shumë e rëndësishme në kampin shkodran. Në rast fitoreje, kuqeblutë sigurojnë përfundimisht një vend komod në renditje dhe do tentojnë deri në fund pastaj për ta mbajtur vendin e gjashtë. Në rast të një rezultati tjetër, sigurisht që mund të ketë probleme për dy ndeshjet e mbetura deri në fund të kampionatit. Megjithatë tek Vllaznia akush nuk është duke menduar ndryshe përveçse një fitore me Tomorin dhe për të mbyllur gjithçka. Fakti që të gjithë lojtarët janë të gatshëm për të luajtur është një plus më tepër për Grimën dhe stafin e tij.

www.shkodrasport.com