Humbja e së dielës në Peqin me Shkumbinin, i ka dhënë thuajse përfundimisht fund shpresave të Vllaznisë për të zënë një vend që do ta çonte atë në Kupat e Europës në fund të këtij sezoni. Distanca me skuadrat e tjera para saj është rritur dhe në këtë mënyrë, kur kanë mbetur edhe 5 javë deri në fund të kampionatit, mbase gjëja më e mirë që duhet të bëjnë drejtuesit kuqeblu është të fillojnë të mendojnë për të ardhmen. Çka do të thotë se nuk është më e nevojshme të aktivizohen lojtarë të cilët mendohet të mos jenë pjesë e skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm.


Fakti që trajner i skuadrës edhe sezonin e ardhshëm do jetë trajneri aktual- Artan Bushati është shumë i rëndësishëm. Ai e ka të qartë se kush duhet të qëndrojë dhe kush duhet të largohet. Mbase, duhet bërë ajo që po bën Tirana aktualisht me promovimin e elementit të ri. Tek Vllaznia ka patur një politikë të dështuar në këtë drejtim, gjithnjë me idenë se këta të rinjtë nuk i kanë aftësitë e duhura për të marrë në dorë situatën tek ekipi i parë. Edhe kjo mund të jetë por përderisa tek Tirana apo ekipe të tjera, po spikasin të rinjtë që në kampionatet e moshave të tyre kanë qenë shumë më inferiorë sesa të rinjtë e Vllaznisë, kjo tregon se diçka ka në këtë mes. Pikërisht për këtë, gjëja më e mirë do ishte që në pesë ndeshjet e mbetura të kampionatit, ata “të dështuarit” të mos luanin më. Të djegur se të djegur me to, drejtuesit e Vllaznisë duhet të fillojnë të mendojnë për të ardhmen. Një zgjidhje kjo e detyrueshme për të menduar për të ardhmen që tani në mënyrë që sezoni aktual të mos konsiderohet krejtësisht i dështuar.
www.shkodrasport.com