Nëse Vllaznia ka bërë mirë deri tani në këto shtatë javë kampionat, një nga arsyet ka qenë stabiliteti i madh që ajo ka treguar në lojën mbrojtëse. Kur themi loja mbrojtëse këtu përfshihet e gjithë skuadra, duke nisur nga sulmuesi i fundit dhe deri tek portieri Sherri.
Jo më kot, Vllaznia është skuadra që ka pësuar më pak gola deri më tani- vetëm 3. Dy prej tyre janë pësuar ndaj Tiranës dhe i treti javën që shkoi ndaj Kukësit.
Por ajo që duhet thënë se në këtë paraqitje shumë të mirë të skuadrës, meritë ka padiskutim reparti i prapavijës i cili mund të konsiderohet me plot gojën “postoblloku” kuqeblu.
Duke filluar nga portieri Sherri që sa herë duhet të jetë në apel, është i gatshëm të tregojë aftësitë e tij. Për të vazhduar me mbrojtësin e djathtë Erdenis Gurishta i cili njeh vetëm rritje në formën e tij sportive.
Dyshja e qendrës me Shehin e Malotën ka gjetur më së miri njëra- tjetrën dhe janë bërë të pakalueshëm duke i dhënë një garanci të madhe skuadrës.
Ndërkohë surpriza mund të jetë paraqitja shumë e mirë e Herald Markut në krahun e majtë. I adoptuar nga halli në këtë pozicion, ai ka treguar një formë shumë të mirë, aq sa tashmë lojtarët që mund të luajnë në të majtë, përfundojnë në mesfushë si Gligorov apo dhe në pankinë si Ualusimbi.
E rëndësishme është që stabiliteti i këtij reparti të vazhdojë edhe në javët e ardhshme dhe nëse ndodh kështu, padiskutim që rezultatet e Vllaznisë do vazhdojnë veç të rriten.
© shkodrasport.com