Humbja me Kukësin ka dëmtuar rëndë shanset e Vllaznisë për titullin kampion, pasi në vijim ndeshjet e mbetura do të jenë shumë më të vështira dhe mundësia për të lëshuar pikë të tjera rrugës është më e madhe. Por shqetësimi më i madh në klubin kuqeblu për momentin ndoshta nuk janë pikët e lëna me Kukësin, por data 11 maj.
Atë ditë, Vllaznia luan një ndeshje shumë të rëndësishme që do të përcaktojë të ardhmen e saj, një ndeshje në tavolina pasi ajo është dita kur më në fund do të zhvillohet ankandi për shitjen e klubit. Gjithçka është zbuluar r nga Matko Djarmati, drejtori sportiv i shkrdanëve, i cili bëri të ditur se në atë datë do të mëesohet gjithçka dhe nëse projekti i nisur në këtë edicion do të vazhdohej me të njëjtët protagonistë.
“Unë kam gjithçka gati për sezonin tjetër”, tha ai për “SuperSport”. “Por më datë 11 maj është ankandi dhe aty do të mësohet kush është pronari i ri, kush do të jetë drejtori, trajneri, me çfarë projekti do të punohet. Deri atëherë nuk ka asgjë të sigurt”, shpjegoi Djarmati.
Ankandi ishte parashikuar që të zhvillohej dy muaj më parë por ankesat e kandidatëve në garë për kushtet e vendosura nga Bashkia bëri që ankandi i parë të anulohej derisa të rishikohej dokumentacioni dhe të bëhej më gjithëpërfshirës. Kështu, më datë 11 maj do të zhvillohet ankandi me dokumentacionin e ri dhe nga ai, gjithmonë nëse nuk anulohet përsëri, do të mësohet emri i presidenti të ri të Vllaznisë, që do të largohet përfundimisht nga duart e Bashkisë së Shkodrës. /vipsport/