Stafi teknik i Vllaznisë, së bashku me presidentin Alban Xhaferi, vijon punën e tyre në drejtim të një riorganizimi ndryshe të skuadrës për periudhën në vazhdim. Nga sa është parë, pjesa e parë e sezonit nuk shkoi sipas planeve të drejtuesve, që do të thotë se skuadra ka pasur luhatje jo të vogla në paraqitjet e saj dhe për këtë stafi teknik, me në krye trajnerin Mirel Josa, së bashku me drejtuesit dhe presidentin Alban Xhaferi po mendojnë një riorganizim në merkaton e janarit, siç dihet tashmë prej ditësh.

Kështu, është menduar që skuadra të përforcohet fillimisht në repartin e sulmit, ku ka qenë edhe fokusi kryesor, por gjatë periudhës së fundit, tepër problematike është shfaqur situata edhe në repartin e prapavijës, sidomos me dëmtimet dhe mungesat e gjata në fushë të dy qendërmbrojtësve, Marko Juriç dhe Darko Bulatoviç.

Pikërisht, për këto dy pozicione, në sulm dhe në mbrojtje janë piketuar edhe disa emra konkretë, me të cilët kanë nisur prej ditësh bisedimet. Burime brenda klubit kuqeblu pohojnë për “Shkodra Sport” se dy emrat më të lakuar janë futbollistët shkodranë, Eraldo Çinari dhe Rubin Hebaj, që të dy prodhim i Vllaznisë.

Çinari ka luajtur më parë në kampionatin turk me Samsunspor, ndërsa Hebaj ka qenë pjesë e Teutës. Tashmë, duke qenë se që të dy i kanë mbyllur kontratat e tyre me ish-klubet, drejtuesit e Vllaznisë i shikojnë si alternativa për t’u veshur kuqeblu.

Ndërkohë, sa i takon prapvijës, emri më i lakuar deri më tani është ai i portugezit Tiago Ferreira, futbollist ky që në pjesën e parë të sezonit luajti për skuadrën e Kukësit, por që tashmë është i lirë pas prishjes së kontratës me drejtuesit verilindor. Për momentin, këto janë emrat e parë që po lakohen si afrime të reja në klubin kuqeblu.

Nga ana tjetër, përveç afrimeve, Vllaznia po mendon të ketë edhe largime. Në këtë mes të tillë, më i lakuari është shqiptaro-malazezi, Kristijan Vulaj, afrimi i të cilit me kuqeblutë në fillim të sezonit u prit me shumë bujë, edhe për vlerat që ai kishte shfaqur në kampionatin malazez, madje duke qenë pjesë e Kombëtarës së këtij vendi.

Megjithatë, nga sa është parë, mes Vulajt dhe trajnerit Mirel Josa diçka nuk shkon, përderisa tekniku kryeqytetas nuk e preferon ta ketë në skuadër. Pa frikë, mund të thuhet se Josa dhe Vulaj i kanë shpallur “luftë të ftohtë” njëri-tjetrit në distancë. Poashtu, për largimet në listë thuhet se janë edhe sulmuesit Ante Aralica dhe Kaina, si edhe mesfushori Elvedin Heriç.

Pjesë e listës që kanë projektuar drejtuesit për largimet janë edhe disa të rinj të ardhur nga Akademia Vllaznia, siç janë Flori Spahija, Antonio Delaj dhe Paolo Pjeshka, të cilët për mungesë hapësirash në skuadrën shkodrane, po shikohet mundësia për huazim në ekipe të tjera, me qëllim që të marrin minutat e duhura. Ndoshta, për këta futbollistë një opsion mund të jetë edhe Veleçiku për t’i dhënë si huazim.

Deri më tani, ende nuk ka asnjë lëvizje zyrtare, por duket se kjo merkato e muajit janar do sjellë zhvillime në kampin shkodran, pavarësisht se drejtuesit kanë shprehur se do jenë të kujdesshëm në këtë merkato, pasi nuk duan të prishin grupin me afrime dhe largime të shumta të futbollistëve.
Maringlen ZHIVANI